Babai në grevë urie prej 22 ditësh, prokuroria greke pritet të miratojë sot kërkesën për zhvarrosjen e trupit të Denis Rucit

06/10/2025 12:58

Burime të besueshme nga autoritetet gjyqësore greke bëjnë të ditur se kërkesa e Pano Rucit për zhvarrosjen e trupit të të birit dhe kryerjen e analizave të ADN dhe atyre toksikologjike ,pritet të miratohet brenda ditës nga Prokuroria e Larisës.

Prej 22 ditësh, Pano Ruci, një baba shqiptar i cili humbi djalin e tij në tragjedinë hekurudhore të Tembit, po zhvillon një grevë urie në qendër të Athinës, përballë parlamentit grek, në shenjë proteste dhe kërkese për drejtësi.

Ruci kërkon ekspertizë të plotë mjeko-ligjore, përfshirë edhe analiza toksikologjike nga trupi I djalit të tij, Denis, një prej viktimave të aksidentit tragjik ku humbën jetën 57 vetë.

Kërkesa e Rucit është pjesë e një thirrjeje më të gjerë për transparencë dhe zbardhje të plotë të rrethanave të aksidentit që tronditi mbarë Greqinë. Sipas informacioneve të fundit, prokuroria pritet të japë dritën jeshile që të kryhen analizat toksikologjike edhe në trupat e tjerë të viktimave të Tembit, kur një gjë e tillë kërkohet nga familjarët.

Sot në mëngjes, pati edhe një zhvillim të veçantë para parlamentit kur vetë Kryepeshkopi i Athinës dhe gjithë Greqisë, Ieronimos II, vizitoi Pano Rucin në ,një gjest solidariteti , siç e quajtën shumë media , që vjen në një moment kritik për shëndetin dhe qëndresën e tij.

Kryepeshkopi qëndroi për disa minuta pranë tij, e bekoj dhe dëgjoi me vëmendje fjalët e babait të dëshpëruar, i cili tashmë është në një gjendje të rënduar fizike, por vazhdon të qëndrojë stoik në kërkesën për të vërtetën.

Greva e Rucit nuk shihet tashmë si një çështje personale, por ajo është kthyer në një simbol të betejës për drejtësi, dinjitet dhe transparencë – shprehen shumë prej qytetarëve grekë që mbështesin kërkesat e tij.

Top Channel