
Kuvendi i Shqipërisë i ka dërguar një e-mail deputetëve pak ditë më parë, ku ka përfshirë edhe një listë me personalitetet e vendit që kanë lindur në muajin tetor dhe që duhen nderuar.
Lista nis me Sulejman Delvinën dhe vijon me Mbretin Zog, Dritëro Agollin dhe Bashkim Finon.
Por pjesë e listës është edhe ish-diktatori Enver Hoxha, për të cilin, në përshkrimin e bërë nga Biblioteka e Kuvendit thuhet “Udhëheqës i Partisë Komuniste dhe më pas i Partisë së Punës i Shqipërisë. Udhëhoqi Luftën ANCC dhe drejtoi shtetin shqiptar pas luftës. Pas cclirimit u zgjodh deputet në të gjitha legjislaturat dhe anëtar i Presidiumi të Kuvendit Popullor. Hero i Popullit, Hero i Punës Socialiste”.
Futja e emrit të ish-diktatorit në listën e personaliteteve që duhen nderuar, është denoncuar nga deputetët e opozitës, Belind Këlliçi dhe Erald Kapri.
“Tendenca të tilla të manipulimit të historisë tregojnë për një përpjekje djallëzore për të ringjallur mitet e historiografisë komuniste, ku kriminelet konsiderohen heronj të popullit dhe mendësia totalitare helmon mendjet e të rinjve, duke e bërë regjimin monist jo vetëm të pranueshëm por edhe të dëshirueshëm”, shkruan Këlliçi.
Ndërsa deputeti i Partisë Mundësia, Erald Kapri i ka kërkuar Kuvendit ta tërheqë menjëherë këtë dokument.
“Si mundet që Kuvendi i Shqipërisë u kërkon deputetëve të respektojnë ish-diktatorin që është përgjegjës për mijëra të vrarë, burgosur, internuar”, thuhet në e-mailin që deputeti i Mundësia i ka dërguar Kuvendit.
Top Channel