5,000 kubanë luftojnë përkrah Rusisë në Ukrainë

06/10/2025 21:44

Administrata e Presidentit Donald Trump u ka kërkuar diplomatëve amerikanë të votojnë kundër një rezolute të OKB-së që i bën thirrje Uashingtonit të heqë embargon e tij dekadashe ndaj Kubës, pjesërisht duke zbuluar detaje rreth mbështetjes së Kubës për luftën e Rusisë në Ukrainë, sipas një kabllogrami të brendshëm të Departamentit të Shtetit të parë nga Reuters.

Si pjesë e një fushate të administratës amerikane, diplomatët amerikanë do t’i informojnë vendet mbi mbështetjen aktive të qeverisë kubane për pushtimin e Ukrainës nga Rusia, me 5,000 kubanë që luftojnë përkrah forcave të Moskës.

Kabllogrami i paklasifikuar, i datës 2 tetor dhe i dërguar dhjetëra misioneve amerikane, u udhëzonte diplomatëve amerikanë që t’u bënin thirrje qeverive të kundërshtonin rezolutën jo-detyruese, e cila është miratuar nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së me një shumicë të madhe vit pas viti që nga viti 1992.

“Pas Koresë së Veriut, Kuba është furnizuesi më i madh i trupave të huaja në ofensivën e Rusisë, me rreth 1,000-5,000 kubanë që luftojnë në Ukrainë”, thuhej në kabllogram.

Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit nuk pranoi të jepte detaje të mëtejshme rreth luftëtarëve kubanë, por tha se Uashingtoni po merrte parasysh raportet se kubanezët po luftonin përkrah trupave ruse në Ukrainë.

“Regjimi kubanez ka dështuar të mbrojë qytetarët e tij nga përdorimi si gurë shahu në luftën ruso-ukrainase”, tha një zëdhënës i Departamentit të Shtetit.

Në javët e fundit, zyrtarët ukrainas kanë paralajmëruar ligjvënësit amerikanë për shkallën në rritje të rekrutimit rus të mercenarëve kubanë për të luftuar në Ukrainë.

Zyrtarët në Misionin e Përhershëm të Kubës në Kombet e Bashkuara nuk iu përgjigjën menjëherë një kërkese për koment.

Vitin e kaluar, Asambleja e Përgjithshme e OKB-së miratoi rezolutën, me 187 vende që votuan pro. Shtetet e Bashkuara dhe Izraeli ishin të vetmet vende që votuan kundër, ndërsa Moldavia abstenoi.

Që nga marrja e detyrës në janar, Trump ka dyfishuar sanksionet, duke e rilistuar Kubën në listën amerikane të shteteve që sponsorizojnë terrorizmin, duke vendosur kufizime dhe sanksione më të rrepta ekonomike dhe udhëtimi ndaj shtetasve të vendeve të treta që strehojnë mjekë kubanë.

Trump gjithashtu kohët e fundit ka ashpërsuar qëndrimin e tij ndaj Moskës, duke kërcënuar me sanksione ekonomike ndaj blerësve të naftës ruse dhe duke lejuar inteligjencën amerikane t’i ofrojë Ukrainës informacion për ta ndihmuar atë të sulmojë objektet energjetike brenda Rusisë.

Kabllogrami i Departamentit të Shtetit akuzoi gjithashtu qeverinë kubane për minimin e demokracive në Hemisferën Perëndimore, ndërsa tensionet rriten midis Uashingtonit dhe Venezuelës, aleatit më të rëndësishëm politik dhe ekonomik të Kubës. Ushtria amerikane ka kryer sulme në Karaibe ndaj anijeve venezueliane që pretendon se transportonin drogë. Sulmi i fundit i SHBA-së ndodhi të premten.

Të mërkurën, Ministri i Jashtëm Kubanez Bruno Rodriguez u bëri thirrje Kombeve të Bashkuara të ndalojnë Shtetet e Bashkuara nga fillimi i një lufte në rajon. Ai tha se lufta kundër tregtisë së drogës në emër të sigurisë kombëtare të SHBA-së është një “pretekst vulgar dhe qesharak” për agresion.

Top Channel