Nga takimi me Kaka e Pato te transferimi në Torino, prestigjiozja italiane artikull yllit shqiptar: Historia e veçantë e Edon Zhegrovës

05/10/2025 11:20

Ishte viti 2012 kur një Edon Zhegrova ende fëmijë pozonte krenar me një fanellë të Milanit, duke mbajtur në duar një trofe fëmijërie që nuk harrohet kurrë.

Në Prishtinë, gjatë një Milan Camp-i që u zhvillua 13 vite më parë, nisi një lidhje e veçantë mes tij dhe futbollit italian, një lidhje që, me kalimin e viteve, do ta çonte drejt Serie A”, shkruan Gazzetta dello Sport.

Sot, nga ajo periudhë ku gjithçka kishte ngjyrat kuqezi, kanë mbetur vetëm kujtimet. E ardhmja është bardhezi, në shërbim të Juventusit, dhe Zhegrova kërkon të lërë shenjë në Torino. Përballja e radhës ndaj Milanit në “Allianz Stadium” mund të risjellë në mendje ato ditë të para si tifoz i vogël kuqezi, por edhe të shërbejë si një mundësi për t’u konfirmuar përpara syve të trajnerit Igor Tudor, që së shpejti do ta ketë në dispozicion në formë të plotë pas një dëmtimi të gjatë.

Kujtimet nga “San Siro” me Kakà dhe Pato

Edoni e di çfarë do të thotë të presësh momentin e duhur. Kështu ndodhi edhe me transferimin e tij nga Lille te Juventusi, që u mbyll në ditën e fundit të merkatos — një skenar që i kujton edhe pjesëmarrjen e tij të papritur në Milan Camp.

“Kisha dëgjuar për kampin vetëm në momentet e fundit. U regjistrova i fundit në listë, por në fund përfundova i pari mes të gjithëve,” ka treguar ai në një intervistë të mëparshme.

“Më pas u ftuam të vizitonim San Siron. Ishte një përvojë e pabesueshme, një ëndërr për një djalë 12-vjeçar nga Kosova. Pashë ndeshjen Milan–Chievo dhe takova yje si Kakà dhe Pato. Më kujtohet nëna ime me lot në sy nga gëzimi.”

Një rrugëtim që nisi me ëndrrën kuqezi, por që sot vazhdon me ambicien bardhezi — dhe që ndoshta, pikërisht ndaj Milanit, mund të marrë kuptim të ri për Edon Zhegrovën, djaloshin nga Prishtina që e ktheu një kujtim fëmijërie në realitetin e tij futbollistik.

Top Channel