
Në moshën 20-vjeçare, Stefano Mauri bëri një tatuazh pa e ditur se po vizatonte të ardhmen e tij: një karpë japoneze, simbol i këmbënguljes dhe forcës për të kapërcyer vështirësitë.
Sot, ish-kapiteni i Lazios po studion për t’u bërë agjent futbolli me Lodovico Spinosin, por mes kujtimeve të bukura dhe plagëve të së kaluarës, ai rikthehet tek ato shtatë ditë burg që ia ndryshuan jetën, kur u përfshi padrejtësisht në çështjen e famshme të trukimit të ndeshjeve.
Stefano, le ta nisim nga tatuazhi juaj. Pse një karpë?
“Kur luaja te Modena, zgjodha të bëja një tatuazh me një karpë pa e ditur çfarë përfaqësonte. Më vonë mësova se është simbol i këmbënguljes, i aftësisë për të kapërcyer pengesat. Nëse shoh gjithçka që më ndodhi më pas, them se bëra zgjedhjen e duhur.”
Sot, shumë njerëz ju kujtojnë për çështjen e trukimit të ndeshjeve. Ju dhemb ende?
“Shumë. Ka qenë periudha më e keqe e jetës sime, diçka që nuk ia uroj askujt. Në agimin e 28 majit 2012 përfundova në burg, i pafajshëm, i akuzuar për mashtrim sportiv dhe pjesëmarrje në organizatë kriminale. Kaluan pesë a gjashtë ditë para se të më dëgjonte gjykatësi.”
Ju keni thënë: ‘Burgu të forcon’. Çfarë donit të thoshit me këtë?
“Sepse pas asaj përvoje, nuk të tremb më asgjë. Je pranë njerëzve që nuk kanë lidhje me futbollin, ndihesh bosh, i zbrazur. Por del më i fortë.”
Si i kalonit ditët pas hekurave?
“Duke lexuar dosjen. Ishin mbi një mijë faqe, dhe as sot nuk i kam kuptuar të gjitha. U fol për asgjë, u përmendën shumë emra, dhe unë isha ai që u hodh për konsum publik. Në fund, u dënova me gjashtë muaj pezullim vetëm për ‘moskallëzim rasti’.”
Keni thënë se keni bërë disa gabime. Cilat nuk do t’i përsëritnit?
“Kam qenë i lehtë në disa miqësi. Nuk kam ditur të dalloj gjithmonë njerëzit e gabuar.”
Çfarë ju mësoi ajo histori?
“Të kuptoj kush të do vërtet. Tifozët e Lazios dhe klubi nuk më lanë asnjëherë vetëm. Kjo nuk harrohet.”
Çfarë ka përfaqësuar për ju shiriti i kapitenit te Lazio?
“Një përgjegjësi e madhe, një nder i jashtëzakonshëm. E ndiej ende sot, sa herë që më ndalin në rrugë dhe më njohin.”
Pas asaj periudhe, duket sikur forma juaj u përmirësua. Pajtoheni?
“Ndoshta po. Në vitin 2013 fitova Kupën e Italisë kundër Romës. Nuk isha titullar në finale dhe u mërzita, por ajo fitore ishte magjike.”
Cili është goli juaj më i bukur?
“Pa dyshim, roveshiata kundër Napolit më 7 prill 2012, dy muaj para burgimit. Ishte diçka e pabesueshme. E ngacmoj ende Radu duke i thënë se me atë krosim pa mend, hyri në histori.”
Keni luajtur në disa role. Cilin preferonit më shumë?
“Një mesfushor ofensiv që nuk e donte shumë mbrojtjen (qesh). Por kur përballë kisha dikë si Pirlo, e ndiqja deri në fund.”
Në derbi keni qenë gjithmonë protagonist.
“Po, kam shënuar tre gola kundër Romës. Dhe pas pezullimit, ndeshja e parë që luajta ishte pikërisht kundër tyre. Në 2012, De Rossi më goditi me grusht, por pas ndeshjes erdhi të më kërkonte falje. Një gjest zotërie.”
Është e vërtetë që Spalletti ju donte te Roma?
“Po, më kishte stërvitur te Udinese. Kishte interes, por Roma e kishte tregun e bllokuar dhe nuk u bë asgjë.”
Cila ka qenë Lazio më e fortë ku keni luajtur?
“Më pëlqeu ajo e Piolit, me Felipe Anderson, Candreva dhe Klose, por edhe ajo e Rejës. Çdo trajner më ka lënë diçka. Edhe Ballardini, me të cilin fituam Superkupën ndaj Interit që më pas mori Tripletën, por pastaj rrezikuam rënien nga kategoria. Ishte periudhë frike.”
Si ishte marrëdhënia me Lotiton?
“Kur e takova për herë të parë më tha: ‘Këtu duhet të pedalohet’. Si kapiten shkoja te ai për të negociuar shpërblimet e skuadrës. Vinte dy orë me vonesë dhe të lodhte derisa dorëzohej kushdo. Kur i kërkonim diçka, përgjigjej: ‘A jeni të çmendur? Unë marr më pak se ju!’ (qesh).”
Cilët bashkëlojtarë ju kanë lënë më shumë mbresa?
“Rocchi, sepse e kuptonim njëri-tjetrin me sy. Kujtoj barazimin 2-2 me Real Madridin në Champions: unë pas tij dhe Pandevit. Pastaj Behrami, Brocchi dhe sigurisht Klose. Ai ishte shembull, shpesh e shihje duke mbledhur vetë topat pas stërvitjes. Luante gjithmonë me këpucë me 6 vida hekuri për të pasur më shumë qëndrueshmëri. Një kampion i madh, si Baggio. Kam luajtur me të në Brescia, fliste shumë për pasionin e tij për gjuetinë. Kam pasur fatin të jem në ndeshjen e tij të lamtumirës në “San Siro”.”
Debutimin në Serie A e keni bërë pikërisht kundër Milanit, apo jo?
“Po, në shtator 2002, përpara familjes sime. Pak vite më parë luaja në kategoritë amatore dhe ndihmoja xhaxhain tim në punë – bënim helmeta. Kam diplomë në elektronikë dhe komunikime, dhe nëse nuk do kisha arritur në futboll, me siguri do kisha jetuar me atë zanat.”
Kur e ndjetë se futbolli do të bëhej jeta juaj?
“Te Modena e kuptova se do të bëhesha profesionist dhe se familja ime do kishte një barrë më pak. Babai im, ish-lojtar dhe trajner në nivele amatore, punonte në ‘Sim’, ndërsa nëna te ‘Piaggio’. Nuk më mungoi asgjë, por e dija se duhej të fitoja vetë gjithçka.”
A keni ndonjë peng?
“Që nuk kam luajtur kurrë në një Europian apo Botëror. Mendoj se e meritoja, por gjithmonë më penguan dëmtimet.”
A keni qenë ndonjëherë pranë Juventusit, Interit apo Milanit?
“Ka pasur diçka, por Lotito nuk më ka lënë të largohem. Dhe për të qenë i sinqertë, as unë nuk doja. Doja të qëndroja te Lazio.”
Dhe ajo festë e famshme, me gishtat që fërkohen mes tyre… çfarë do të thoshte?
“Të lutem… pyetje tjetër, faleminderit.”
Top Channel