Vijojnë hetimet për zbardhjen e shkaqeve të vdekjes së 65-vjeçarit Gjergj Tusha, i cili u gjet pa jetë në Tale të Lezhës.

Korrespondentja e Top Channel Brixhilda Deda bën me dije se paraprakisht dyshohet se vdekja e tij ka qenë aksidentale.

Sipas burimeve nga grupi hetimor, vdekjen dyshohet t’i jetë shkaktuar nga goditja e një demi, i cili dyshohet se e ka përplasur në pemë. Ai ka marrë plagë në kofshë dhe në pulpa.

Njoftimi i policisë:

Përfundon ekspertiza mjeko-ligjore për përcaktimin e plagëve në trupin e shtetasit Gj. T., i cili u gjet i pajetë pasditen e djeshme, në afërsi të lumit Mat.

Nga ekspertiza mjeko-ligjore në trupin e 65-vjeçarit nuk janë konstatuar plagë të shkaktuara nga armë zjarri apo mjete prerëse.

Në vijim të informacionit të dhënë për gjetjen e trupit të pajetë të shtetasit Gj. T., banues në fshatin Pllanë, Lezhë, në afërsi të lumit Mat, ku nga këqyrja paraprake u dyshua se në trupin e tij kishte plagë të shkaktuara nga armë zjarri, sqarojmë se:

Nga veprimet e para hetimore të kryera ka rezultuar se ngjarja ka ndodhur në fshatin Pllanë, Njësia Administrative Zejmen, Bashkia Lezhë, ku shtetasi Gj. T. ka qenë duke kullotur bagëtitë.

Grupi i posaçëm hetimor ka kryer një sërë veprimesh hetimore e procedurale, si këqyrjen e vendit të ngjarjes, këqyrjen e kufomës, këqyrjen e pamjeve filmike, marrjen e deklarimeve, vendimet e ekspertimit, etj.

Nga tërësia e veprimeve hetimore të deritanishme, dhe veçanërisht nga këqyrja e kufomës, ka rezultuar se dëmtimet e konstatuara në trupin e shtetasit Gj. T. nuk janë shkaktuar nga armë zjarri apo mjete prerëse.

U kryen veprimet e para hetimore dhe materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Lezhë, për hetime të mëtejshme në lidhje me këtë ngjarje, e dyshuar aksidentale.

Top Channel