Zjarr masiv në një rafineri në Los Angeles, banorët urdhërohen të qëndrojnë në shtëpi

03/10/2025 11:06

Një zjarr i fuqishëm shpërtheu mbrëmjen e së enjtes në rafinerinë Chevron në El Segundo, pranë Los Angeles, duke shkaktuar panik dhe shqetësim për cilësinë e ajrit në zonë.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 18:00 me orën lokale, ndërsa autoritetet reaguan menjëherë. Zjarri shpërtheu në një nga zonat e rafinerisë, e cila është ndër më të mëdhatë në bregun perëndimor të SHBA dhe përpunon mbi 270,000 fuçi naftë në ditë.

Zjarrfikësit lokalë, bashkë me ekipin e sigurisë së rafinerisë, arritën të izolonin flakët dhe të shmangnin përhapjen më të gjerë të zjarrit.

Autoritetet bënë thirrje banorëve të zonës përreth që të qëndrojnë brenda dhe të mbyllin dritaret, për shkak të tymit dhe mundësisë së ndotjes së ajrit. Një urdhër për strehim në vend (“shelter-in-place”) u dha për Manhattan Beach, rreth 3 kilometra larg rafinerisë.

Ndërkohë, disa monitorë të cilësisë së ajrit raportuan për rritje të grimcave të dëmshme në atmosferë, edhe pse shumica treguan nivele “të mira”.

Kryetarja e Bashkisë së Los Angeles, Karen Bass, dhe Guvernatori i Kalifornisë, Gavin Newsom, janë informuar për situatën. Kryebashkiaku i El Segundo, Chris Pimentel, tha për mediat lokale se “Jemi shumë të shqetësuar. Ka shumë punë për të hetuar shkaqet e këtij zjarri dhe për të kuptuar çfarë ndodhi saktësisht.”

 

FOTO GALERI
3/8

Top Channel