
Ish-kryetarja e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Naureda Llagami, i ka bërë një kërkesë Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Tiranë për të pezulluar vendimin e Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë, lidhur me procedurat e ndjekura për plotësimin e një vendi në Gjykatën Kushtetuese.
Bëhet fjalë pikërisht për vendimin nr. 2 të marrë në 30 shtator. Pas përfundimit të mandatit të Holta Zaccaj në dhjetor 2024, Gjykata e Lartë hapi procesin e aplikimeve, ku ndër kandidatët aplikoi edhe Naureda Llagami. Kandidatura e saj u lejua të vijonte garën me vendimin e KED-së të 17 qershorit 2025.
Në kërkesën e saj drejtuar Gjykatës, Llagami kërkon që të pezullohet zbatimi i vendimit të Mbledhjes së Posaçme të Gjykatës së Lartë deri në shqyrtimin dhe dhënien e një vendimi përfundimtar nga Administrativja.
Në procesin e zgjedhjeve të anëtarit që Gjykata e Lartë do të çojë në Kushtetuese, ka pasur një episod të dyshimtë, ku një votë e cila ishte dukshëm në favor të Naureda Llagamit, është shpallur e pavlefshme.
Më herët, kandidatja për anëtare të Gjykatës Kushtetuese, znj. Naureda Llagami, i është drejtuar me një kërkesë zyrtare Gjykatës së Lartë, duke kërkuar të njihet dhe të pajiset me kopjen e plotë të dosjes që lidhet me procesin e zhvilluar më 30 shtator 2025 në Gjykatën e Lartë.
Llagami mori 9 vota, tre më shumë se kandidati tjetër Asim Vokshi, i cili u shpall fitues pasi mori vetëm 6 vota. Vota e shpallur e pavlefshme, siç duket edhe në fotografi, ka të rrethuar numrin 2 ku është emri i Llagamit si dhe një plus në krahun tjetër. Këto dy shenja e kanë bërë atë të pavlefshme, duke mos i mundësuar emërimin në Gjykatën Kushtetuese.
Top Channel