
Robbie Williams ka zbuluar se vuan nga sindroma Tourette, duke e përshkruar si një gjendje “ndërhyrëse” që ndikon çdo ditë në jetën e tij.
Këngëtari britanik ndau për herë të parë publikisht përvojën e tij në episodin e parë të sezonit të ri të podkastit “I’m ADHD! No You’re Not”, ku ishte i ftuar së bashku me Paul Whitehouse dhe Dr. Mine Conkbayr.
“Sapo e kuptova se kam sindromën Tourette, por nuk manifestohet me tikë klasike. Janë mendime ndërhyrëse. Pardje po ecja dhe kuptova se këto mendime janë pjesë e saj. Ato thjesht nuk dalin jashtë,” – u shpreh ai.
Williams shtoi se, edhe në momentet kur është i rrethuar nga dashuria e publikut, ndjesia e boshllëkut mbetet: “Do të mendonit se një stadium plot me njerëz që të duan do të ndihmonte. Por çfarëdo që është brenda meje, nuk e dëgjon këtë. Nuk mund ta pranoj.”
Artisti i njohur tha gjithashtu se ka kryer kohët e fundit një test për autizëm – i cili rezultoi negativ – megjithatë, sipas mjekëve, ai shfaq disa tipare autistike, siç është ankthi i fortë jashtë “hapësirës së tij të sigurt”, dhoma apo shtrati i tij.
Çfarë është sindroma Tourette?
Sindroma Tourette është një çrregullim neurologjik i trashëguar që karakterizohet nga tikë motorikë dhe/ose vokalë, të cilët shfaqen në mënyrë kronike. Sipas neurologes pediatrike Artemis Ghikës, për të vendosur diagnozën, duhet të jenë të pranishëm tikë të shumëfishtë për një periudhë më të gjatë se një vit, pa ndërprerje më të gjatë se tre muaj.
Sindroma prek më shpesh djemtë dhe shfaqet zakonisht mes moshës 5-12 vjeç.
Tikët mund të zhduken pas pubertetit, por në disa raste ato vazhdojnë edhe në moshën adulte.
Në shumë raste, Tourette shoqërohet edhe me çrregullime të tjera, si obsesione ose mungesë vëmendjeje.
Robbie Williams, një nga ikonat e muzikës pop britanike, përmes rrëfimit të tij, ka vendosur të thyejë një tjetër tabu, duke folur hapur për sfidat e shëndetit mendor dhe gjendjet neurologjike që shpesh mbeten të heshtura në jetën e personazheve publikë.
Top Channel