Qarkullonin të armatosur dhe të pajisur me radio si të Policisë, vihen në pranga dy persona në Tropojë

01/10/2025 09:57

Dy persona kanë rënë në prangat e policisë pasi qarkullonin të armatosur në Tropojë.

Sipas uniformave blu, janë arrestuar shtetasit Arjan Prengzaj dhe Avdi Ismajlgeci. Gjatë kontrollit në automjetin tip “Mitsubishi”, në pronësi të shtetasit Prengzaj me të cilin ata qarkullonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri, 2 thika, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 2 sëpata të vogla, 1 palë dylbi dhe municion luftarak.

Ndërsa në banesën e shtetasit Ismajlgeci u gjetën 2 radio si ato të Policisë.

Njoftimi:

Finalizohet operacioni policor i koduar “Velishti”

Qarkullonin të armatosur, me armë zjarri e armë të ftohta dhe të pajisur me radio si të Policisë e dylbi nate, vihen në pranga dy shtetas.

Sekuestrohen 2 armë zjarri, 1 silenciator, 6 radio si të Policisë, 4 mjete prerëse (thika), 2 sëpata, 5 dylbi, 1 xhup multifunksional dhe municion luftarak.

Në vijim të punës për parandalimin dhe goditjen e rasteve të armëmbajtjes pa leje, bazuar në informacionet e marra në rrugë operative se dy shtetas po qarkullonin me automjet dhe të armatosur, shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, në bashkëpunim me shërbimet operacionale të DVP Kukës, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Velishti”.

Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:

Arjan Prengzaj dhe Avdi Ismajlgeci.

Këta shtetas u kapën në vendin e quajtur Velisht, Njësia Administrative Bujan, Tropojë, ku gjatë kontrollit në automjetin tip “Mitsubishi”, në pronësi të shtetasit A. P., me të cilin ata qarkullonin, shërbimet e Policisë gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale: 2 armë zjarri, 2 thika, 2 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, 2 sëpata të vogla, 1 palë dylbi dhe municion luftarak.

Në vijim të operacionit, gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. P., u gjetën dhe u sekuestruan: 4 radio marrëse-dhënëse si të Policisë, municion luftarak i kalibrave të ndryshëm, karikatorë, 4 palë dylbi, 2 thika, një xhup multifunksional si ato të Policisë dhe një silenciator.

Ndërsa në banesën e shtetasit A. I., u gjetën 2 radio si ato të Policisë.

Armët e zjarrit do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore për të përcaktuar nëse janë përdorur në ndonjë ngjarje kriminale.

Materialet i kaluan Prokurorisë së Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme procedurale.

Top Channel