Inside Story/ Ngërçi me gjurmueshmërinë, pse produktet e rrezikshme u hodhën në treg para se të dilnin analizat…?!

01/10/2025 21:55

Sipas nenit 25 të ligjit për ushqimin përcaktohet qartë se çdo operator i biznesit ushqimor duhet të ketë një sistem të dhënash, jo thjesht një faturë të sigurisë ushqimore.

Sipas këtij detyrimi ligjor çdo operator biznesi duhet të ketë një kartë teknologjike. Pra, të tregojë origjinën nga e ka marrë, nëse është prodhues çfarë i ka futur produktit, sa aditivë ka, sa mish ka.

Të gjitha këto kritere janë detyrim i AKU-së që t’i kërkojë dhe mungesa e tyre bën që të mos arrihet gjurmueshmëria.

“Për të parandaluar, minimizuar rrezikun duhet të gjurmojë edhe gramin e fundit të produktit që paraqet rrezik. Në rast se nuk ka një sistem gjurmueshmërie, që në momentin e parë që merr lëndën, ti duhet të tregosh se ku ka shkuar. Ndaj në shumë raste autoriteteve në rastin e mishit me salmonelë, iu deshën 10 ditë ku e ka produktin, dhe gjatë kësaj kohe produkti u shit”,  u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

Për të rritur sigurinë ushqimore, inspektorët e AKU-së janë të vendosur në çdo pikë doganore dhe janë përgjegjës për kryerjen e kontrolleve. Sipas manualit të PIK, Inspektimit në pikat kufitare, ka dy opsione për marrjen e mostrave. Marrja e mostrave në bazë rreziku, kur ka një sinjalizim se mund të ketë probleme. Në këtë rast ngarkesa bllokohet dhe nuk del në treg deri sa të dalin përgjigjet. Rasti i dytë është ai rutinë, kur mostra merret në bazë planesh vjetore. Në këtë rast produkti lejohet të dalë në treg.

Edhe pse produkti mund të vijë i infektuar me salmonelë, në momentin e analizave ka mundësi të parandalohet dhe të mos përfundojë te konsumatori, por kjo nuk zbatohet.

“Për hir të së vërtetës janë shumë të rralla inspektimet. 3-4 herë në vit për operatorët me rrezik të lartë, dyqanet e mishit janë vetëm një herë në vit, mendo ku jemi”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

Ligji detyron që të gjitha importet që futen në Shqipëri duhet t’i nënshtrohen kontrollit analitik. Ekspertët thonë se aktualisht kjo procedurë nuk zbatohet, duke u reduktuar vetëm te pak subjekte që mund të kenë pasur histori negative të mëparshme.

“Kontrollit duhet t’i nënshtrohen të gjitha produktet e importit që futen në vendin tonë. Ajo që ndodh aktualisht, jo të gjitha partitë që hyjnë i nënshtrohen kontrollit zyrtar analitik. Kjo nënkupton që AKU bën një kontroll mbi bazën e rrezikut të inspektimit, duke gjurmuar në kohë dhe në hapësirë, duke parë që nëse ka pasur histori të ekspozimit me salmonela ato shtojnë kontrollet”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Mirëpo sipas ekspertëve kjo procedurë duhet ndryshuar. Ata i referohen rasteve konkrete të publikuara më herët dhe atyre që ne po zbulojmë. Kur kanë dalë analizat, produkti ishte shitur. Nëse mostra merret në bazë alerti, atëherë produkti qëndron i bllokuar në magazinat e importit deri në momentin e daljes së analizës.

“Për sa kohë ti merr mostër, produkti nuk duhet të dalë në treg, edhe nëse kjo është mbi bazë të planit vjetor. Analiza doli me 11 ditë me vonesë për rastin e filetos së pulës, ishte zbatuar opsioni i lënies së lirë të produktit për të dalë në treg dhe kur doli analiza e ISUV me salmonelë produkti ishte shitur thuajse i gjithë…”,  u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore.

Në këtë zinxhir procedurash, një hallkë e rëndësishme që nuk funksionon si duhet janë edhe laboratorët e analizave. AKU ka 7 laboratorë, por asnjëri prej tyre nuk është i akredituar dhe përballet me mungesa të ndryshme duke filluar që nga reagentët dhe kitet.

“Edhe pse ISUV është laborator reference, edhe pse AKU ka 7 laboratorë, ka mirëmbajtje, blihen kite, por analizat kryhen në privat, sepse nuk ka kapacitete laboratorike dhe nuk ka analiza të akredituara”, u shpreh Ana Vuksana, eksperte e sigurisë ushqimore.

“Fakti është që AKU dhe gjithë zinxhiri i laboratorëve në varësi nuk ka kapacitete analitike për të bërë dhe përballuar një ngarkesë të tillë, pavarësisht që ka përmirësime në pikat doganore nuk është bërë e mundur që të ketë pika kontrolli analitike për të monitoruar të gjitha partitë e mallit që futen në RSH”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Mungesa e kapaciteteve për të kryer analizat, së bashku me vonesat në dhënien e rezultateve, bën që produktet e infektuara të dalin në treg duke rrezikuar drejtpërdrejt shëndetin e qytetarëve.

Ajo që ka dështuar në të gjithë historinë e shpërthimit të salmonelave është fakti që njoftimi shpesh është bërë me vonesë, strukturat e shërbimit shëndetësor janë vënë në dijeni me vonesë, por edhe ndërmarrja e akteve të survejimit nuk janë bërë në kohë. Si pasojë një pjesë e popullsisë është ekspozuar ndaj një produkti të kontaminuar.

“Duket sikur ne arrijmë të kontrollojmë produktin nga ferma në tavolinë, por ka hallka të zbuluara, ka hallka të errëta në informacionin që mbart produkti që nga fusha deri te tavolina. Mund të bësh matje në një ngarkesë dhe të mos rezultojë, por kjo nuk nënkupton që e gjithë ngarkesa është e pastër. Ndaj gjithnjë kërkohet që të shoqërohet me analiza të ndryshme. Kjo do të thotë që edhe pas çdo testi të kryer asnjëherë nuk duhet të mendojmë se rreziku është eliminuar 100%”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Ervin Resuli, ekspert njëkohësisht edhe president i Urdhrit të Veterinerëve, pranon se procesi çalon edhe sa i përket inspektorëve.

“Strukturat veterinare nuk janë në lartësinë e duhur për sa i përket bazës ligjore, institucioneve nga ato varen dhe drejtohen dhe sa i përket kërkimit të thelluar shkencor”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.

Fajin për këtë situatë ai e shikon te mbështetja anemike që qeveritë i kanë dhënë Autoritetit Kombëtar të Ushqimit dhe inspektorëve në veçanti. Si pasojë, inspektorët ndihen të dobët për të marrë masa ndëshkuese ndaj bizneseve miliona euroshe.

“Inspektorët nuk janë në lartësinë e duhur për të kryer funksionet që u ngarkon ligji, edhe për mungesë të logjistikës, edhe për mungesë të pagës, nuk mundet që një inspektor me pagë 800 mijë lekë t’i heqë licencën një operatori që qarkullon 20 mln euro në vit”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.

Top Channel