
Në mes të muajit maj 2025, në një kopsht publik në qytetin e vogël të Gramshit shpërtheu salmonela, një infeksion bakterial që vjen kryesisht nga produktet e mishit dhe vezët.
Dhjetëra fëmijë përfunduan në spital. Rasti ngriti shqetësime serioze për sigurinë ushqimore.
Kopshti frekuentohej nga 92 të mitur dhe kishte një staf prej 19 punonjësish. Edhe pse kaloi shumë kohë, episodi nuk u zbardh plotësisht.
Gjithçka nisi kur një nga të miturit u shtrua në spitalin e Gramshit me dizanteri klinike. Strukturat shëndetësore u vunë në alarm dhe ekzaminuan 72 persona. Rezultatet konfirmuan se 16 fëmijë dhe psikologia ishin infektuar.
Skandali plasi në fundjavë. Pavarësisht situatës alarmante, inspektimi u shty për ditën e hënë, me justifikimin se biznesi dhe institucioni “nën akuzë” ishin pushim. Një veprim ky në shpërfillje të plotë të ligjit.
“Shkon të shtunë e të dielë dhe thotë është pushim, është mbyllur, ligji parashikon që në çdo moment që ka një rrezik ti duhet të shkosh atje, edhe nëse është mbyllur të njoftosh institucionet që të minimizosh riskun, por nëse zvarrit apo neglizhon”, u shpreh Ana Vuksana, eskperte e sigurisë ushqimore.
Sipas raportit të hetimit administrativ, salmonela është gjetur tek vezët. Në fakt, çështja është shumë më e komplikuar. Në një njoftim në lidhje me situatën e ndodhur në këtë kopsht, Autoriteti Kombëtar i Ushqimit informon se pas verifikimeve të gjurmueshmërisë, mendohet se kontaminimi i vezëve ka ndodhur në ambientet e kopshtit nga faktorë të tjerë, jo nga ushqimi.
AKU sqaron se mostra e marrë në subjektin prodhues të vezëve ka rezultuar negative. I njëjti rezultat negative në fermën e shpendëve dhe mostrat e marra nga subjekti furnizues.
Çështja ka mbeti me kaq. Nuk ka hetime të mëtejshme për gjetjen e shkaktarëve. Përgjegjësia me sa duket ka mbetur vetëm mbi psikologen që rezultoi e infektuar.
“Ne akoma nuk e dimë pse ai kopshti i fëmijëve salmonella nga erdhi, sa herë autoritetet nuk arrijnë të gjejnë shkakun kjo pengon përmirësimin dhe marrjen e masave të nevojshme”, u shpreh Ana Vuksana.
Nga hetimi i rastit ka rezultuar se etiketa e mishit të pulës të bllokuar në kopsht, nuk korrespondon me faturën e tij. Për këtë arsye kopshti u gjobit me 300 mijë lekë…
Historia e infektimit me salmonelë është komplekse. Produktet e mishit apo ato me origjinë shtazore janë përbërësit kryesorë të menusë së kopshteve dhe çerdheve.
Sipas Instat, përgjatë vitit 2024 mbi 66 mijë fëmijë ishin pjesë e sistemit arsimor parauniversitar, shumica e të cilëve frekuentojnë kopshte me drekë.
Bashkia e Tiranës, më e madhja në vend ka rreth 12 mijë fëmijë në kopshtet dhe çerdhet publike. Referuar një përgjigjeje me shkrim, drejtoria e kopshteve dhe çerdheve në këtë bashki thotë se përgjatë periudhës 2021-maj 2025 ka prokuruar mbi 370 mijë kg mish të freskët pule dhe viçi. Institucioni deklaron se ndjek kritere strikte për kontrollin dhe sigurinë.
Raportohen vetëm dy fëmijë të prekur nga salmonela përgjatë 4 viteve të fundit. Ato kanë qenë raste sporadike dhe asnjë prej fëmijëve të tjerë apo stafit nuk ka shfaqur simptoma.
Rasti i shpërthimit të salmonelës në kopshtin e Gramshit, është vetëm njëri nga dhjetëra episodet që çdo vit konstatohen me këtë infeksion.
Ekspertët e shohin sigurinë ushqimore si hallka të një zinxhiri të tërë institucionesh, dhe jo atribut vetëm të një dikasteri.
“Zinxhiri fillon me produktet që ushqehen kopshtet, mishi, mediakmentet, mishi kur theret, kushtet higjeinike, kontrolli i sëmundshmërisë në territor, kushtet e frigoriferike, supermearketet. Një zinxhir shumë i gjatë që ndërpritet herë pas herë për shkak të mbivendosjes së kompetencave apo krijimit të hapsirave një proces nuk e ka asnjë nga institucionet për ta kontrolluar apo monitoruar”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.
Top Channel