Ekskluzive në Inside Story/ Kompania hodhi në treg tonelata gjiro-je të rrezikshme, a përfundoi te konsumatori…?!

01/10/2025 22:38

Në muajin tetor 2024, mijëra ton mish i infektuar me salmonelë u importua nga subjekti “Bajraktari Food”.

 Sipas Autoritetit Kombëtar të Ushqimit bëhet fjalë për mbi 26 mijë kg mish pule të importuar, e cila është përdorur si lëndë e parë për prodhimin e 17 mijë e 500 kg gjiro. Siç i njohim ndryshe, sufllaqe pule.

Kur dolën analizat që konfirmuan praninë e salmonelës, kjo sasi kishte përfunduar në treg. Subjekti u gjobit për dy shkelje të ndryshme në vlerën e 600 mijë lekëve. Por, ishte tepër vonë. Sasia prej tonelatash mish të rrezikshëm kishte përfunduar te konsumatori.

Ka një sërë problematikash për sigurinë ushqimore në Shqipëri. Legjislacioni ka mungesa të theksuara, ose ndonjëherë, për të qetësuar biznesin ekspozon konsumatorin ndaj ngarkesave të caktuara mikrobike”, u shpreh Ervin Resuli, ekspert i sigurisë ushqimore.

“Ajo që ka çeduar në të gjithë historinë e shpërthimit të salmonelave është fakti që njoftimi shpesh është bërë me vonesë, duke mos lënë kohë që të merren masa për të mos përhapur infeksionin më tej apo ekspozimin me patogjenë te popullata”, u shpreh Kapllan Sulaj, Dekan i Bioteknologjisë dhe Ushqimit, UBT.

Kompania Bajraktari, hodhi në treg mijëra kilogram mish të kontaminuar, pa pritur rezultatin e analizave. Nuk është e qartë harta e përhapjes së produktit në treg. Ajo që dihet është se lidhur me këtë ngarkesë, nuk ka pasur njoftime publike për konsumatorin.

Ne i jemi drejtuar kompanisë me një kërkesë për informacion rreth hartës së përhapjes së produktit, apo nëse mori masa për informimin e konsumatorit. Por, nuk morëm asnjë përgjigje deri në transmetimin e dokumentarit. Sipas rregullave të sigurisë, duhej bërë gjurmimi i plotë, tërheqja dhe asgjësimi i produktit, gjë e cila nuk dihet nëse është realizuar.

Nëse bizneset mund t’ia hedhin me një gjobë prej vetëm 600 mijë lekësh, kjo nuk ka asnjë efekt për eliminimin e rrezikut. Përkundrazi, historia mund të përsëritet siç edhe ka ndodhur.

Në vitin 2023 janë 76 mijë raste me salmonelë në të gjithë vendet e BE, pra është masive. Shqipëria nuk është e vetmja”, u shpreh Granit Sokolaj, ekspert i sigurisë ushqimore.

Top Channel