Parandalohet trafikimi i një të miture drejt Kosovës, arrestohet në Morinë 22-vjeçari nga Berati, pranga edhe mikut të tij

29/09/2025 11:18
foto ilustruese

Një tentativë për trafikim të një të miture drejt Kosovës është parandaluar në pikën kufitare të Morinës, falë veprimit të shpejtë të Policisë Kufitare.

Në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë, shërbimet e Policisë ndaluan për kontroll një automjet të drejtuar nga shtetasi E. G., 22 vjeç, i cili po udhëtonte me një vajzë të mitur, 14 vjeçe, dhe një tjetër pasagjer, shtetasin A. K., 18 vjeç.

Nga hetimet e para, dyshohet se 22-vjeçari po tentonte të trafikonte vajzën e mitur drejt Kosovës. Shtetasi A. K., i cili udhëtonte si pasagjer në automjet, u arrestua për moskallëzim të krimit, pasi nuk raportoi ngjarjen në organet kompetente.

Policia bën me dije se ngjarja u zbulua falë analizës së riskut dhe kontrolleve të përforcuara në kufi, të cilat po intensifikohen në kuadër të luftës kundër trafikimit të qenieve njerëzore dhe krimeve ndërkufitare.

Të arrestuarit ndodhen në paraburgim, ndërsa vijojnë hetimet nën drejtimin e Prokurorisë së Kukësit, për zbardhjen e plotë të ngjarjes dhe identifikimin e mundshëm të bashkëpunëtorëve të tjerë.

Top Channel