
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtarë, Ledion Krisafi i ftuar në “Top Story” nga Grida Duma tha se Serbia po bën një riarmatim të fuqishëm.
Eksperti tha se riarmatimi i fundit i Serbisë e bën pjesën tjetër të Ballkanit perëndimor të duket qesharak. Sipas Krisafit marrëveshja e fundit që supozohet të ketë bërë në Kinë e çon atë në një nivel të jashtëzakonshëm ushtarak.
Eksperti shtoi se fakti që Beogradi po bën një investim kaq të madh duke marrë parasysh që është më e fuqishme se e gjithë pjesa tjetër e Ballkanit tregon që ata po përgatiten për diçka.
“Nga Serbia, droni është gjëja më e vogël për të cilën mund të shqetësohemi këto kohë sepse po bën një riarmatim të jashtëzakonshëm aq sa gjithë pjesa tjetër e Ballkani perëndimor dukemi qesharakë. Ato që ka blerë dhe që tregoi Serbia kohët e fundit dhe marrëveshja që supozohet të ketë bërë së fundmi në Kinë, ne që dalim dhe flasim për një bajraktarë apo dy bajraktarë dukemi qesharakë në krahasim me çfarë ka blerë dhe çfarë supozohet të blejë Serbia. Është në një nivel të jashtëzakonshëm.
Kështu që dronët duhet të jenë shqetësimi i fundit. Dje është vërtetuar që Serbia ka marrë një sistem raketor rus dhe nuk është e njohur se si ka përfunduar ky sistem nga Rusia në Serbi sepse sistemi raketor do disa ditë për ta çuar në Serbi. Nuk mendoj që serbët po armatosen kot. Ata kanë një doktrinë të tyre që ata duhet të jenë më të fortë ushtarakisht se pjesa tjetër e Ballkanit.
Problemi tjetër është që ne, pra pjesa tjetër e Ballkanit jemi aq të dobët saqë ata as nuk kanë nevojë të bëjnë një investim kaq të madh. Prandaj ndoshta janë duke pritur diçka”, u shpreh Krisafi.
Top Channel