Protesta për UÇK / Pas Prishtinës e Hagës, do të organizohet në Tiranë më 17 tetor

29/09/2025 15:32

Protestat në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së do të vijojnë pas Prishtinës dhe Hagës, në kryeqytetin shqiptar.

Më 17 tetor në Tiranë, një grup shoqatash të veteranëve të luftës, nën koordinimin e ish-deputetit Azgan Haklaj, ftojnë shqiptarët të bashkohen në sheshin Skënderbej.

“Motoja jonë është: ‘Edhe unë jam UÇK. Drejtësi dhe liri për çlirimtarët.’ Besoj dhe uroj që në datë 17 tetor, në sheshin Skënderbej, të gjithë shqiptarët do të vijnë të japin një mbështetje të fuqishme. Imagjinoni çfarë do të ndodhte nëse do të akuzohej Garibaldi, George Washington-i? Pra, edhe çlirimtarët tanë kanë kryer një mision!”, thotë Haklaj.

Hysni Guçati, kryetar i Organizatës së Veteranëve të Luftës thotë: “Ju bëj thirrje të gjitha partive politike, të gjithë shqiptarëve anekënd, pa dallim feje. Ne jemi të gjithë shqiptarë që duhet të reagojmë në datë 17 tetor, në orën 17:00, të gjithë së bashku. Kjo nuk është thjesht çështja e disa individëve, por është çështje e dinjitetit, sakrificës dhe të vërtetës historike!”.

Zgjedhja e Tiranës për protestën e radhës vjen në një moment kur, sipas organizuesve, Shqipëria ka treguar se është me Kosovën në çdo hap.

Për protestuesit, kjo nuk është thjesht thirrje për të ndalur padrejtësitë ndaj gjykimit të ish-drejtuesve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por kërkojnë të marrin fund përpjekjet për baltosjen e luftës në Kosovë.

Top Channel