Historia po shkruhet, Bad Bunny artisti i parë latin që kryeson skenën e Super Bowl pas rekordit të Kendrick Lamar

29/09/2025 09:51

Superylli nga Porto Riko Bad Bunny do të ngjitet në skenën më të madhe të NFL-së vitin që vjen.

Ai do të jetë kryeartisti i “Half-Time Show” të Super Bowl 2026, që do të zhvillohet më 8 shkurt, në Levi’s Stadium të Kalifornisë së Veriut.

Lajmi u konfirmua këtë të diel nga NFL, Apple Music dhe Roc Nation, të cilët njoftuan se fituesi i çmimeve Grammy do të udhëheqë performancën më të ndjekur të vitit, pas suksesit rekord të Kendrick Lamar në edicionin e 2025-ës.

Ky është një tjetër kulm i karrierës për Benito Antonio Martínez Ocasio, i njohur globalisht si Bad Bunny, i cili sapo ka përfunduar një rezidencë historike në Porto Riko me mbi 500,000 spektatorë dhe kryeson listën e nominimeve për Latin Grammy 2025 me plot 12 kandidatura.

Artisti 31-vjeçar, i njohur për hite si Un Verano Sin Ti dhe albumin e tij më të fundit Debí Tirar Más Fotos, është ndër më të dëgjuarit në botë, dhe një figurë kyçe në popullarizimin global të muzikës latine.

Në një deklaratë pas zyrtarizimit të lajmit, Bad Bunny u shpreh: “Ajo që ndjej shkon përtej vetes sime. Është për ata që erdhën përpara meje dhe bënë aq shumë që unë të mund të shënoj një ‘touchdown’. Ky moment është për popullin tim, për kulturën dhe për historinë tonë”.

Vetëm pak javë më parë, Bad Bunny kishte deklaruar se nuk do të përfshinte SHBA-në në turneun e tij botëror, për shkak të frikës nga kontrollet e emigracionit ndaj fansave të tij.

“Ishim të shqetësuar që ICE mund të qëndronte jashtë koncertit tim. Ishte diçka që e diskutuam shumë seriozisht,” tha ai për revistën i-D.

Jay-Z, themeluesi i Roc Nation, e cilësoi përzgjedhjen e Bad Bunny si një moment frymëzimi: “Ajo që ai ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Porto Rikon është frymëzuese. Është nder ta kemi në skenën më të madhe në botë.”

Edhe Oliver Schusser, nënkryetar i Apple Music, theksoi ndikimin e artistit në kulturën globale: “Muzika e tij jo vetëm ka thyer rekorde, por ka ngritur muzikën latine në qendër të pop-kulturës. Ky shou do të jetë i paharrueshëm.”

Producentë të performancës do të jenë Roc Nation dhe producenti fitues i çmimit Emmy, Jesse Collins, ndërsa regjisor do të jetë Hamish Hamilton, i cili ka drejtuar edhe performanca të mëparshme të Super Bowl-it.

Në edicionin e kaluar, Kendrick Lamar, së bashku me SZA, realizuan performancën më të ndjekur në historinë e Super Bowl-it, me 133.5 milionë shikues, duke kaluar edhe shfaqjen ikonike të Michael Jackson në vitin 1993.

Tani, të gjitha sytë janë drejt 8 shkurtit 2026, kur Bad Bunny pritet të dhurojë një shfaqje spektakolare për miliona fansa në të gjithë botën.

Top Channel