Milani ia del dhe me 10 lojtarë, kuqezinjtë mundin kampionët e Napolit dhe ngjiten në vendin e parë të Serie A

28/09/2025 22:47


Milani ka arritur një fitore tepër të rëndësishme përballë Napolit në kryesfidën e javës së 5-të të Serie A, me “Djallin” që triumfoi 2-1 në shtëpi.

Sfida e luajtur në “San Siro” nisi me një ritëm të lartë nga kuqezinjtë, të cilët kaluan në avantazh që në minutën e 3-të me anë të Saelemaekers.
Skuadra e Allegrit filloi të buzëqeshte, kur në minutën e 31-të ishte Pulisic që dyfishoi shifrat.

Gjërat filluan të përkeqësoheshin në minutën e 57-të kur Estupiñan u ndëshkua me një karton të kuq pas një ndërhyrjeje të gabuar në zonë, me De Bruyne që shndërroi në gol 11-metërshin e fituar.

Gjithsesi, në minutat e mbetura të besuarit e Allegrit e menaxhuan më së miri lojën, duke ruajtur rezultatin dhe duke marrë tre pikë të rëndësishme përballë kampionëve në fuqi të Italisë.

Kështu, Milani ngjitet në vendin e parë të renditjes me 12 pikë, po aq sa edhe Napoli.

REZULTATI:
MILAN 2-1 NAPOLI
Saelemaekers 3’, Pulisic 31’ / De Bruyne 60’ (P)

Top Channel