foto ilustruese

Zbardhen detaje të reja nga ngjarja e rëndë e ndodhur pas mesnatës në fshatin Salari të Tepelenës, ku një shtetas italian u gjet i pajetë.

Viktima i identifikuar si Edoardo Sarchi, i datëlindjes 09.04.1981, kishte lindur në Varese, Itali.

Sipas informacionit zyrtar, shtetasi italian kishte rreth 25 vite që jetonte në Shqipëri, në lagjen “Laprakë” të Tiranës, dhe ishte ortak në një fabrikë tullash në kryeqytet.

Në momentin e ngjarjes, Sarchi ndodhej në zonën mes fshatrave Nivicë dhe Salari, së bashku me disa persona të tjerë, për qëllime gjuetie.

Sipas burimeve zyrtare nga Policia e Shtetit, trupi i pajetë i shtetasit italian është gjetur rreth orës 00:30, pranë një rruge rurale. Shërbimet e Policisë janë njoftuar menjëherë dhe kanë mbërritur në vendin e ngjarjes, duke nisur hetimet paraprake.

“Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur shërbimet e Policisë dhe është ngritur një grup i posaçëm hetimor. Nën drejtimin e Prokurorisë, po punohet intensivisht për zbardhjen e rrethanave, dokumentimin ligjor të ngjarjes dhe për identifikimin e autorit apo autorëve të dyshuar”, thuhet në deklaratën zyrtare të Policisë.

Top Channel