Qindra besimtarë morën pjesë/ Mbahet në Katedralen e Korçës ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastasit

27/09/2025 13:39

Në Katedralen “Ngjallja e Krishtit” në Korçë mes qindra besimtarëve u mbajt ceremonia e Fronëzimit të Mitropolitit të Korçës, Hirësi Anastasit.

I pranishëm në ceremoni ishte edhe Fortlumturia e Tij, Kryepiskopi i Tiranës, Durrësit dhe gjithë Shqipërisë, Joani. Gjithashtu të pranishëm ishin edhe anëtarët e Sinodit të Shenjtë të Kishës Orthodhokse.

Në fjalën e tij Krepiskopi Joan vlerësoi kontributin e Mitropolitit të ri të Korçës çfarë dëshmon se Krishti vazhdon të thërrasë njerëz edhe në shek XXI.

”Nga mësimet e Zotit tonë Jezu Krisht, nga jeta shpirtërore e Kishës së shekujve, dhe nga pararendësit tanë, mësojmë se udhëheqësi shpirtëror duhet të prijë grigjën e tij me dashuri dhe përkushtim. Mësojmë se bariu i vërtetë nuk sundon mbi grigjën, por i shërben asaj. Dashuria baritore nuk është abstrakte, por konkrete: të vizitosh të sëmurin, të ushqesh të uriturin, të veshësh të zhveshurin, të ngushëllosh të pikëlluarin, të përkrahësh të dobëtin, të mësosh të paditurin dhe të ndihmosh të humburin të gjejë rrugën.

Po kështu mësojmë si të kombinohet urtësia me thjeshtësinë, autoriteti me përulësinë, vizioni me realizmin. Mësojmë se nuk mjafton të ndërtojmë ndërtesa kishtare, por duhet të ndërtojmë edhe tempullin shpirtëror në zemrat e njerëzve.Mësuam të duam Perëndinë, dhe e dimë se të gjitha bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Atë. Duke mbajtur këto mësime në mendje e në zemër dhe duke i zbatuar ato me përkushtim në jetë dhe në punë, do të shpëtosh edhe veten, edhe ata që të janë besuar ty.

Kryepeshkoi Joan vlerësoi Korçën si qytetin ku shërbeu për shumë vite si Mitropolit si kryeqendër kulturore të shqipërisë, djep i arsimit dhe qëndresës shpirtërore.

Korça, qyteti që është kryeqendra kulturore e Shqipërisë, djepi i arsimit kombëtar dhe i qëndresës shpirtërore, aty ku lindi Rilindja Kombëtare dhe u hap shkolla e parë shqipe, ka dhënë shumë për kombin tonë dhe është përballur me sfida të mëdha. Emigrimi masiv, plakja e popullsisë, vështirësitë ekonomike, ndikimi i sekularizmit, humbja e vlerave tradicionale dhe dobësimi i familjes janë ndër shkaqet që e bëjnë të vështirë ndërtimin e një shoqërie të shëndetshme dhe funksionale.

Jam i bindur se do të gjesh përgjigje krijuese për këto sfida dhe do të dish të komunikosh me të rinjtë në gjuhën e tyre, duke përdorur mjetet moderne, por pa komprometuar mesazhin e përjetshëm. Përvoja jote, si drejtor ekzekutiv i Logos-it, anëtar i bordeve të Klinikës së Ungjillëzimit dhe i Shkollës së Dashurisë, si edhe detyrat e tua si përfaqësues i Kishës dhe i institucioneve arsimore, kanë dëshmuar aftësinë tënde për të udhëhequr, për të kuptuar dimensionin shoqëror të Ungjillit dhe për të qenë shembull i përkushtimit. Studimet e tua në Universitetin Logos të kanë dhënë thellësi në doktrinë dhe në jetën shpirtërore.

Je thirrur të jesh jo vetëm një administrator i aftë, por mbi të gjitha një udhërrëfyes shpirtëror, një ngushëllues dhe dëshmitar i gjallë i pranisë së Krishtit. Je thirrur të jesh një dritë që ndriçon errësirën, një zë që shpall të vërtetën, një dëshmi e gjallë se Krishti është i gjallë.

Populli i Korçës pret shumë prej teje: të rinjtë presin frymëzim, të moshuarit ngushëllim, të varfërit shpresë. Në momentet e vështira, kujto thjeshtësinë dhe përulësinë e Atë Kozmait, mençurinë dhe dashurinë e Kryepeshkopit Anastas, që me veprën e tij të pashoqe ringriti Kishën tonë nga gërmadhat. Por, sidomos, kujto fjalën e Apostullit: “Gjithçka mund ta bëj me anë të Krishtit që më forcon.” Sepse pa Krishtin nuk mund të bëjmë asgjë.

Nuk je vetëm. Pas teje qëndron i gjithë Sinodi i Shenjtë, klerikët e nderuar dhe mijëra besimtarë që do të luten për ty. Mbaj gjithmonë mend se të është dhënë hiri i Perëndisë, dhe Ai nuk na ka dhënë frymë frike, por frymë force, dashurie dhe urtësie.

Së bashku do të vazhdojmë traditën e shenjtë që na është besuar. Le të lulëzojë Mitropolia nën drejtimin tënd. Le të bëhet një qendër rrezatimi shpirtëror për gjithë vendin tonë dhe një model për botën ortodokse.

Të uroj jetë të gjatë dhe të frytshme në vreshtin e bekuar të Zotit e të Shpëtimtarit tonë Jezu Krisht.

Mitropoliti i Korçës imzot Anastasi në fjalën e tij theksoi rëndësinë e forcimit të besimit tek Jezu Krishtit në kushtet kur shoqëria përballet me sfida të vështira.

Mitropoliti i Korçës imzot Anastasi:-Nuk jam këtu që të flas si i huaj mes jush, por si një vëlla në Krishtin, i lidhur me dashurinë dhe me shenjtërinë e etërve që përmenda. Nuk jam këtu për të nisur nga e para, por për të vazhduar një histori që ka rrënjë të thella. Jam këtu për të shkruar një kapitull të ri në librin e gjatë të besimit dhe të dashurisë që kjo Mitropoli e ka gdhendur në gjuhën dhe jetën e popullit tonë.

Sot sfidat janë të tjera. Nuk kemi përndjekje të hapura, por kemi forma të fshehta të tyre: shpërfillje, relativizëm dhe materializëm. Njeriu shpesh humbet në zhurmën e shumë zërave dhe ofertave të kota. Të rinjtë, jo rrallë, nuk gjejnë kuptim në jetën e përditshme. Pikërisht këtu hyn misioni i Kishës: të jetë dritë dhe udhërrëfyes. Roli i saj nuk është të dënojë, por të ndriçojë; jo të përjashtojë, jo të gjykojë, por të udhëheqë me dashuri.

Kisha është spital shpirtëror, ku të gjithë gjejnë shërim; është shtëpi, ku çdo njeri ndjen mbrojtje; është shkollë, ku mësohet e vërteta. Popull besimtar dhe i dashur i Mitropolisë së Korçës, ju siguroj se nuk vij si i huaj, por si vëlla. Dëshira ime është që të njihemi më thellë. Dhe kjo njohje nuk është kureshtje e thjeshtë njerëzore, por një thirrje shpirtërore që bëhet marrëdhënie, marrëdhënie që kthehet në bashkëjetesë, dhe bashkëjetesa në përjetimin e Krishtit.

Pa Krishtin çdo marrëdhënie është e brishtë, çdo bashkim është i përkohshëm, çdo vëllazëri është e pamjaftueshme. Me Krishtin edhe i panjohuri bëhet vëlla, edhe i largëti bëhet i afërt, edhe i huaji bëhet pjesë e trupit të njëjtë. Apostulli Pavël na kujton: “Të gjithë, në një Frymë, u pagëzuam për të qenë një trup.” Dhe në këtë trup, që është Kisha, nuk ka ndarje, por një unitet të thellë që buron nga vetë Krishti, Koka e saj.

Shën Gjon Gojëarti na kujton se Kisha është bashkësi dashurie dhe shenjtërie, ku askush nuk jeton për veten, por për tjetrin, sepse të gjithë jetojmë për Krishtin. Kjo do të thotë se unë, si bariu juaj, nuk mund t’ju njoh vërtet nëse nuk ju shoh të bashkuar me Krishtin; dhe ju nuk mund të më njihni mua vetëm nga emri apo figura ime, por vetëm nëse shihni tek unë besimin në Krishtin.

Pra, njohja jonë nuk duhet të ndalet në një nivel njerëzor, por të gjejë përmbushje në përvojën e përbashkët të Fjalës dhe të Mistereve të Shenjta. Aty, në Kungimin e Shenjtë, ku Krishti vetë na bëhet Bukë e Jetës, ne njohim njëri-tjetrin jo si individë të ndarë, por si anëtarë të një trupi të vetëm, të një familjeje të shenjtë.

Etër të dashur, bashkëpunëtorët e mi më të afërt në vreshtin e Zotit, ju jeni zëri i përditshëm i Kishës; praninë tuaj e ndien çdo lagje, çdo fshat e çdo shtëpi. Përmes jush predikohet Ungjilli, kremtohen misteret, dhe populli i Perëndisë ushqehet me hirin e shenjtë. Ju jeni duart me të cilat Krishti bekon, buzëqeshja me të cilën Bariu i Mirë ngushëllon, dhe zemra me të cilën ai i mbledh delet e Tij. Pa ju, çdo fjalë e imja do të ishte bosh, çdo përpjekje do të mbetej pa fryt. Për këtë ju falënderoj me gjithë zemër për gjithçka që keni bërë deri më sot”.

Ceremonia u ndoq nga deputetë të Korçës, autoritete vendore dhe drejtues institucionesh.

Top Channel