Banorët e fshatit Kraps, në qytetin e Fierit,  përballen prej vitesh me një problem serioz infrastrukture.

Një urë e ndërtuar nga vetë banorët 20 vjet më parë, pasi bashkia nuk ka ndërhyrë kurrë, është në gjendje të rënduar dhe rrezikon të shembet. Ura është e vetmja lidhje për banorët dhe shumë shpejt mund të mos jetë e kalueshme, duke i izoluar ata nga qendra e fshatit, nga tokat apo varrezat

“Jemi 25 shtëpi, bëhemi rreth 100 banorë, por shumica janë të ikur në kurbet dhe kemi vetëm një hall, urën”, tregojnë ata për kamerën e Fiks Fare. Banorët tregojnë se e  kanë ndërtuar vetë urën para 20 vjetëve.

Shpenzimet për ndërtimin e saj, u mblodhën nga dy fise të fshatit, por tani ajo ka degraduar dhe banorët nuk kanë më fuqi ekonomike për të mbuluar riparimin e urës dhe as investimet nga e para.

Ura ndodhet mbi lumin Gjanica dhe gjatë dimrit kur prurjet e Gjanicës shtohen, është e pamundur kalimi.

Në atë urë kalojnë edhe fëmijët që shkojnë në shkollë dhe sipas banorëve jeta e tyre rrezikohet gjatë dimrit sepse ura nuk ka mbajtëse anësore dhe fëmijët rrezikojnë të bien në lumë.

Banorët tregojnë se kanë bërë disa ankesa në njësinë administrative, u kanë premtuar që pritet një vendim nga Këshilli bashkiak i Fierit.

Fiks fare pyeti administratorin e Njësisë Administrative Portëz, Zenel Selimaj.

Ai tha se ishte në dijeni të ankesave të vazhdueshme të banorëve të Krapsit dhe se i ka bërë kërkesë Bashkisë së Fierit për të ndërhyrë për riparimin. Sipas tij, pas zgjedhjeve kanë ardhur topografët e bashkisë dhe kanë bërë matjet për të parë mundësinë hartimit të një projekti të ri për një urë të re

Fiks Fare u interesua edhe pranë drejtorisë së ndërmarrjes së shërbimeve publike në bashkinë e Fierit. Drejtuesi i kësaj drejtorie, Arjan Ndreu, premtoi se menjëherë do të merren masa për riparimin e urës

Ndërkohë tha se janë duke bashkëpunuar me drejtorinë e projekteve për të ndërtuar një urë të re, e cila do të jetë brenda standardeve, ku do të kalojnë edhe automjetet e tonazhit të rëndë. Por për këtë presin buxhetin e vitit të ardhshëm, për të parë mundësinë e tenderimit.

24 orë pas këtij premtimi, punëtorët e bashkisë së Fierit filluan punën për riparimin e urës në Kraps.

FOTO GALERI
1/6

Top Channel