
Al-Nassr ka marrë një fitore të rëndësishme 2-0 ndaj Al-Ittihad, në ndeshjen e javës së katërt të Saudi Pro League 2025/26, të zhvilluar të premten, më 26 shtator, në “King Abdullah Sports City” të Jeddah.
Sadio Mane dhe Cristiano Ronaldo ishin protagonistët absolutë të sfidës, duke i dhënë skuadrës nga Rijadi tre pikë të arta që e ngjisin në krye të renditjes me një diferencë prej tre pikësh nga ndjekësit më të afërt.
Goli i parë erdhi që në minutën e 9-të, kur Mane finalizoi saktë pas një krosimi të bukur nga Kingsley Coman. Senegalezi nuk u ndal me kaq: në minutën e 35-të, ai asistoi për Cristiano Ronaldon, i cili me një goditje të saktë me kokë mposhti portierin Predrag Rajkovic.
Al-Nassr dominoi tërësisht edhe pjesën e dytë, duke regjistruar plot 21 goditje drejt portës, ndërsa Al-Ittihad nuk arriti të krijojë asnjë rast të rrezikshëm për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Me këtë fitore, Al-Nassr konfirmon formën e mirë dhe pretendimet serioze për titull, ndërsa Al-Ittihad mbetet në krizë dhe me shumë pikëpyetje për sulmin dhe organizimin në fushë.
Rezultati përfundimtar:
Al-Ittihad 0 – 2 Al-Nassr
Mane (9′), Ronaldo (35′)
Top Channel