
Piloti britanik i Ferrarit, Lewis Hamilton, ka anuluar pjesëmarrjen në një test të rëndësishëm të gomave të Formula 1 me kompaninë Pirelli për të qëndruar pranë qenit të tij, Roscoe, i cili ndodhet në koma.
Kampioni i shtatëfishtë i botës njoftoi përmes një postimi emocional në Instagram se bulldogu i tij 12-vjeçar është shtruar në spital me pneumoni. Sipas Hamilton, gjatë kontrolleve mjekësore, Roscoe është seduar, por gjatë këtij procesi zemra e tij ndaloi.
“Arritën t’i rikthenin rrahjet e zemrës dhe tani është në koma. Nuk e dimë nëse do të zgjohet. Nesër do të përpiqemi ta zgjojmë. Jam pranë tij dhe dua t’ju falënderoj të gjithëve për lutjet dhe mbështetjen,” shkroi Hamilton, duke shpërndarë foto pranë shtratit të Roscoe-s në spitalin veterinar.
Hamilton, 40 vjeç, ishte planifikuar të merrte pjesë të premten në pistën e Mugellos në Itali për testimin e gomave prototip të sezonit të ardhshëm, por është zëvendësuar nga piloti rezervë kinez, Zhou Guanyu.
Roscoe, i cili është i njohur në rrjetet sociale me mbi 1.3 milion ndjekës në Instagram, përshkruhet si “një bulldog vegan që pëlqen të udhëtojë dhe të luajë me top.” Ai është shpesh i pranishëm pranë Hamilton në garat e Formula 1, duke u kthyer në një pjesë të pandashme të imazhit të pilotit britanik.
Ky gjest i Hamilton për të qëndruar pranë mikut të tij të ngushtë me katër putra ka prekur miliona ndjekës në rrjetet sociale, duke sjellë një valë mbështetjeje për të dy.
Top Channel