
I dënuari për vrasje, Bledar Selmanaj, ka tentuar të largohet nga institucioni i vuajtjes së dënimit një ditë më parë në Fier.
Për të realizuar tentativën e tretë të arratisjes, Selmanaj duke përdorur mjete rrethanore arriti të krijonte një çarje në murin e dhomës, i cili ishte mur ndarës.
Përmes saj doli në sheshin e takimeve, dhe më pas, duke u ngjitur nëpërmjet tubave të shkarkimit, arriti deri në soletën e godinës.
Rreth orës 07:00 të mëngjesit, ai u pikas nga rojet e sigurisë, të cilët ndërhynë menjëherë dhe bënë ndalimin e tij.
Bledar Selmanaj, i dënuar për vrasjen e një miku të tij, fillimisht ishte vendosur në sektorin e paraburgimit të Burgut të Fierit. Pas një konflikti të shkaktuar aty, ai u transferua në sektorin e observimit, ku zakonisht mbahen të paraburgosurit e ardhur nga komisariati.
Selmanaj është dënuar për vrasjen me armë zjarri të mikut të tij, 25-vjeçarit Xhulian Bullari në vitin 2021 në fshatin Babicë të Vlorës. Ai u arrestua zonën e ish-Bllokut në Tiranë, katër ditë pas krimit.
Top Channel