
Është vënë në pranga administratori i një agjencie turistike në Tiranë dhe procedohet bashkëshortja e tij, pasi përfituan përmes mashtrimit 17 mijë euro.
Sipas uniformave blu, dyshohen se çifti ka mashtruar klientët e agjencisë dhe kanë përfituar rreth 17 mijë euro.
Si rezultat i operacionit: u ndalua shtetasi A. Gj., 63 vjeç, administrator i agjencisë turistike; si dhe nisi procedimi penal për shtetasen E. Gj., 51 vjeçe (bashkëshortja e shtetasit A. Gj.), punonjëse e agjencisë.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet pas disa javësh hetime në drejtimin e Prokurorisë, operacioni policor i koduar “Rezervimi”.
Vihet në pranga administratori i një agjencie turistike dhe procedohet penalisht punonjësja e agjencisë (bashkëshortja e tij), pasi dyshohet se duke mashtruar klientët e agjencisë, kanë përfituar rreth 17 000 euro.
Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare të DVP Tiranë, pas administrimit të kallëzimeve të disa qytetarëve, për mashtrim nga një agjenci udhëtimi, kanë kryer disa javë hetime në drejtimin e Prokurorisë dhe kanë finalizuar operacionin policor të koduar “Rezervimi”.
Nga hetimet dyshohet se këta shtetas kanë përfituar rreth 17 000 euro, duke mashtruar klientët e agjencisë, të cilëve iu kanë marrë shuma parash për rezervimin e biletave të udhëtimit dhe të akomodimit, por nuk i kanë bërë rezervimet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprat penale “Mashtrimi” dhe “Fshehja e të ardhurave”.
Top Channel