
Shqipëria ka vijuar të shënojë ritme të larta rritjeje në turizëm dhe lëvizje ndërkombëtare gjatë vitit 2025, duke konfirmuar profilin e saj si një destinacion gjithnjë e më i preferuar në rajon.
Sipas të dhënave më të fundit të INSTAT, gjatë periudhës janar–gusht 2025 kanë hyrë në territorin shqiptar gjithsej 8.969.005 shtetas të huaj, një shifër që përfaqëson një rritje me 5,2 % krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2024, kur në vend kishin hyrë 8.529.711 vizitorë. Ky trend pozitiv dëshmon për një rritje të qëndrueshme të flukseve hyrëse, të mbështetur kryesisht nga turizmi.
Vetëm në muajin gusht 2025, në kulmin e sezonit veror, në Shqipëri hynë 2.381.864 shtetas të huaj, duke regjistruar një rritje me 9,9 % në raport me gushtin e vitit të kaluar (2.167.665 vizitorë). Ky është një nga treguesit më të fortë që tregon vitalitetin e tregut turistik dhe fuqizimin e Shqipërisë si destinacion sezonal.
Të dhënat tregojnë se 97 % e hyrjeve të të huajve në gusht 2025 kanë ardhur nga Evropa, me peshën më të madhe që mban Evropa Jugore (77 %). Pas saj renditet Evropa Perëndimore me 9 %, ndërsa Evropa Qendrore/Lindore përbën 8 % të hyrjeve. Ky shpërndarje nënvizon faktin se Shqipëria mbetet kryesisht një destinacion rajonal, veçanërisht për vendet e Mesdheut dhe Ballkanit.
Nga kontinente të tjera, hyrjet janë modeste, por me tendenca rritjeje. Në gusht 2025, Amerika shënoi mbi 52 mijë hyrje, ndërsa Afrika dhe Azia e Jugut, ndonëse me shifra të vogla, patën rritje të dukshme në krahasim me vitin 2024.
Sipas INSTAT, 99 % e hyrjeve të shtetasve të huaj janë realizuar për qëllime personale, kryesisht turizëm. Ky tregues është rritur me 9,8 % krahasuar me gushtin e vitit të kaluar. Ndërkohë, hyrjet për qëllime biznesi dhe profesionale kanë njohur një rritje edhe më të lartë, prej 23,3 %, duke treguar një interes në rritje edhe për dimensionin ekonomik e profesional të marrëdhënieve me Shqipërinë.
Të dhënat e muajit gusht dhe të periudhës janar–gusht 2025 përforcojnë imazhin e Shqipërisë si një vend që jo vetëm tërheq turistë të huaj në masë, por gjithashtu po arrin të zgjerojë profilin e vizitorëve, duke tërhequr edhe investitorë, profesionistë dhe të ardhur nga rajone më të largëta.
Top Channel