
Aktorja e njohur Claudia Cardinale, e cila ndërroi jetë të martën në moshën 87-vjeçare, mbetet një nga figurat më të dashura të kinemasë italiane dhe ndërkombëtare.
Ylli i viteve ‘60 nuk ishte vetëm një ikonë e bukurisë dhe talentit, por edhe një grua me një forcë të jashtëzakonshme përballë dhimbjes së heshtur që e shoqëroi për dekada.
Pas një paraqitjeje të jashtme plot hijeshi dhe sensualitet, Cardinale mbante një plagë të thellë nga rinia e saj. Në një intervistë të rrallë për Corriere della Sera, ajo rrëfeu se ishte vetëm 16 vjeç ku u përdhunua në Tunis nga një burrë i rritur i panjohur për të. Nga ajo ngjarje e rëndë, ajo mbeti shtatzënë dhe solli në jetë djalin e saj, Patrick.
“As për një moment nuk mendova ta hiqja fëmijën tim,” tha ajo me vendosmëri. Forca e saj u shfaq jo vetëm në përballimin e traumës, por edhe në zgjedhjen për të mbajtur shtatzëninë, në një kohë kur shoqëria italiane ishte ende shumë e mbyllur ndaj temave të tilla.
Patrick, djali i saj, u rrit fillimisht duke besuar se Claudia ishte motra e tij, për të mbrojtur imazhin publik të aktores dhe për ta ruajtur atë nga thashethemet. E vërteta iu zbulua më vonë përmes një interviste me gazetarin Enzo Biagi, ku Cardinale tha se “Ishte e nevojshme. Guximi del kur nevojitet.”
Në përballjen me situatën, Claudia pati mbështetjen e familjes, veçanërisht të motrës së saj Blanche, e cila e ndihmoi të kujdesej për Patrick. Franco Cristaldi, producent dhe partner i saj në atë kohë, u kujdes që çdo detaj të trajtohej me diskrecion të plotë. Ai madje shkatërroi letrat që babai biologjik i Patrick-ut dërgonte, pa dijeninë e saj.
Patrick, i cili është rritur mes Italisë dhe SHBA-së, zgjodhi një jetë larg vëmendjes së mediave. Ai është bërë një stilist bizhuterish me bazë në Nju Jork.
Rrëfimi i Claudia Cardinales është dëshmi e një force të heshtur dhe një guximi që i parapriu kohës. Në një shoqëri ku dhuna ndaj grave shpesh fshihej ose neglizhohej, ajo zgjodhi të mbijetojë dhe të ecë përpara jo vetëm për veten, por edhe për të birin.
Top Channel