
Sali Berisha nuk është i lumtur për mënyrën sesi socialistët lëshuan Erion Veliajn, ndonëse qëllimi i përbashkët u arrit dhe ai është një hap larg statusit të ish-kryebashkiakut.
“Këta i panë dje këshilltarët, të quajturit larva njerëzore, njerëz të cilët kishin dalë dhe ishin kacavjerrë dritareve dhe dyerve të prokurorisë dhe gjykatës në protesta kundër arrestimit të Erionit, kurse dje i bënin gjyqin Erion Veliajt, duke dëshmuar se nuk kanë as moral, as karakter, asgjë tjetër. Ju e patë se si ishin ata sot, ishin në zi, nxinin, sepse panë secili në veten e tij fatin e Erion Veliajt”, tha Berisha.
Gara e parakohshme e Tiranës duket se ka kapur pa përgatitur demokratët, të cilët vijnë pas një disfate të thellë në zgjedhjet parlamentare. Por, bojkoti i zgjedhjeve nuk është në planet e Sali Berishës, i cili duhet të nxitojë të gjejë një sfidant për Ogerta Manastirliun, ndonëse pretendon se ka në mendje më shumë se një.
“Është qëndrimi i bojkotit dhe mund të përdoret, por ajo kërkon të përgatisësh lëvizje guerile, etj., etj., që ne nuk jemi. Nuk jemi parti e lëvizjeve guerile, jemi parti e vlerave konservatore, edhe i kemi të shpallura ato. Kjo është arsyeja pse ne nuk bojkotojmë, pse ne marrim pjesë në zgjedhje”, shtoi kryedemokrati.
Sali Berisha tashmë është bindur se me votë nuk e largon dot Edi Ramën, ndaj po pret që qytetarëve t’u mbushet mendja për t’u ngritur në protesta: “Por atë që e kam thënë, e them dhe e mbroj. Narkodiktaturat nuk ikin me votë. Kjo është shumë e faktuar. Regjimet autoritare nuk ikin me votë. Rruga e vetme mbetet vendosmëria qytetare, protesta kundër këtij grupi mafioz që ka uzurpuar të gjitha pushtetet dhe nuk njeh ligj, Kushtetutë dhe as moral”.
Opozita duket se ka nxjerrë mësim nga e shkuara dhe ka vendosur të mos bojkotojë parlamentin. Ndonëse nuk e njeh strukturën e re kuvendore, ajo vendos të zërë vendet e saj në komisionet e përhershme parlamentare.
Top Channel