
Emiljan Burba është dënuar me 8 vite burg për trafik narkotikësh dhe organizator i një grupi të strukturuar kriminal.
Gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha raporton se trupi gjykues ishte i përbërë nga gjyqtarët Erjon Bani, Elsa Ulliri dhe Erjon Çela.
Në përfundim të procesit, Gjykata vendosi:
Deklarimin fajtor të Emiljan Sofo Burbës për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve” në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal, si dhe për veprën penale “Grup i strukturuar kriminal”, duke e dënuar me një total prej 12 vitesh burg.
Bazuar në nenin 406/1 të Kodit të Procedurës Penale, për shkak të pranimit të gjykimit të shkurtuar, dënimi iu ul me 1/3, duke rezultuar në një dënim përfundimtar prej 8 vitesh burg.
Gjykata urdhëroi që dënimi të vuhet në një burg të sigurisë së lartë, në përputhje me ligjin nr. 81/2020 për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Sendet e sekuestruara do të mbeten pjesë e fashikullit gjyqësor dhe në ruajtje për efekt të një procedimi penal të ndarë, të regjistruar po me numrin 159 të vitit 2024.
Shpenzimet proceduriale do të përballohen nga i pandehuri.
Top Channel