Por si u përhap skema XUEX kaq shpejt në vendin tonë dhe cfarë pretendonte se përfaqësonte? Xuex ishte një platformë mashtruese online që u premtonte njerëzve me anë të agjentëve të tyre që do të përfitonin shifra të majme parash duke investuar në këtë rrjet me mënyra krejtësisht të pakuptimta.

Xuex pretendohet se është krijuar nga ‘EG Invesment Group’, një kompani fantazëm e themeluar nga Anthony Leo Smith në vitin 2018. Pronar që nuk ekziston dhe nuk ka asnjë të dhënë.
“EG Invesment Group” reklamon se është kompani që merret me fonde investimesh, ndërkohë që ka një saktësi prej 99.6% në rritjen e kapitalit. Xuex është prezantuar për herë të parë në treg në vitin 2022 si një risi e themeluar nga Nnty Jay, inxhinier softueri që ka punuar për Uber.
Të dy personat e pretenduar si themelues nuk janë të vërtetë, por vetëm trillime për të afruar sa më shumë njerëz. Nuk ekzistojnë me asnjë të dhënë nga kërkimet në internet.
“Anthoni Smith ishte një robot. Ishte eksperti që jepte sinjalet e blerjes. Ai dinte të fshehte kur do të binte dhe kur do të bie. Ai e parashikonte, por ishin sinjale fallso”, u shpreh Fatjon Kadillari, ekspert kriptomonedhash.
‘Eg Investment Group’ në sajtin zyrtar jep dhe disa informacione në lidhje me një marrëveshje të pretenduar ndërmjet liderit të saj Anthony Smith dhe Xu Exchange, ose shkurt Xeuex. Një fletë krejtësisht e pavlerë dhe pa asnjë besueshmëri, pasi Antony Leo Smith nuk ekziston dhe duket qartë se nuk ka asnjë kriter besueshmërie.
“Nëse sheh të gjitha licencat që kjo skemë piramidale u ka ofruar qytetarëve që kanë investuar, vetëm të kërkosh në internet për këto licenca, ti e kupton që kjo është skemë piramidale. Ata licenca janë licenca që mund ti marrë dikush me pak para. Janë thjeshtë licenca operimi, jo operimi financiar”, u shpreh Denisa Kele, eksperte kriptomonedhash.
Xuex nuk mund të shkarkohej në Google Store, apo App Store, por vetëm nëpërmjet linqeve që të nisin agjentët që punojnë në terren nga këta mashtrues. Në momentin që marrin linkun dhe regjistrohen në këto platforma, bëhen pjesë e grupeve në Telegram. Aty dy herë në ditë vijnë sinjale që duhet të konfirmohen dhe në këtë mënyrë rriten fitimet.
Produkti që kanë anëtarët është kripto, por nuk ekziston në asnjë portofol serioz si Binance, apo Cex.IO.
Shifrat e rritjes së parave janë fiktive. Ato vendosen manualisht nga persona që merren me këto mashtrime duke i bërë njerëzit të besojnë se po fitohet vërtetë. Në Xuex ishte një sistem demo që pretendohej se të vinin dy sinjale në ditë, në orën 14:20 dhe në 19:20. Të gjithë antarët duhet të ishin gati për të klikuar, duke qenë se u vinte lajmërimi në grupet e ngritura.
“Pas momentit që kanë hedhur paratë, qytetarëve i është treguar një faqe, që ne e quajmë Demo. Ne e përdorim për studentët tanë për të kuptuar dhe ata se si funksionon tregu i kriptovalutave. Një faqe demo që nuk ka para virtuale brenda, e gjitha është një iluzion virtual. Qytetarët janë mashtruar që ata shifra, numra që janë paraqitur në atë faqe demo janë reale. Në momentin që kanë tentuar ti tërhiqnin nuk i kanë tërhequr, ose është krijuar një komision për të marrë paratë e tyre mbrapsht”, u shpreh Denisa Kele, eksperte kriptomonedhash.
“Nëse e shpjegojmë nga ana teknike mund të themi se dikush ka krijuar një portofol privat dhe brenda aplikacionit ka futur një portofol kriptoje. Të gjithë robt i transferojnë nga aplikacionet zyrtare Binance drejt portofolit privat duke menduar se është aplikacion. Ata në mënyrë robotike dhe të programuar të japin pseudosinjale. Ti çdo ditë nga ata sinjale, zona blerje dhe shitje, ti bën blerje dhe shitje, duke qenë fallso, ti del cdo ditë vetëm fitues. Ti sheh se portofoli rritet, por është rritje virutale dhe jo reale. Dollari nuk është real. Ata prandaj reklamojnë fitime të jashtëzakonshme dhe asnjëherë humbje”, u shpreh Fatjon Kadillari, ekspert kriptomonedhash.

Top Channel