Skemat piramidale online mendohet se zhvatën mbi 10 mijë qytetarë brenda muajve të parë të vitit 2025. Dëmi i shkaktuar në total përllogaritet mbi 10 milionë dollar. Këto janë vetëm të dhënat paraprake pasi mendohet për dëme më të mëdha.

Policia e Fierit arrestoi 6 persona të përfshirë në këtë veprimtari kriminale, 2 prej të cilëve u liruan nga Gjykata. Ata konsiderohen menaxherët e terrenit që tërhiqnin njerëzit në formë rrjete. Pra, arkitektët e skemës nuk dihet se ku janë.

Inside Story kishte nisur investigimin e kësaj skeme mashtrimi përpara aksionit të Policisë pas sinjalizimeve nga burime të ndryshme.

Ekipi ynë i xhirimit kishte udhëtuar në Divjakë, Gramsh dhe Lushnje duke biseduar me disa prej personave që ishin bërë pjesë e skemës.

“Ekonomia dhe mashtrojnë njerëzit e dobët. Po hajde këtu, hajde atje. Po para varet, varet, çmime të ndryshme. Po fillon me 20 mijë lekë dhe lart. Mjerë atij që i bie. Nuk i tërheq dot, po çfarë argumentash të thonë? Mirupafshim dhe shëndet!”, u shpreh i mashtruari nga poramodat online.

Në Lushnje, epiqendra e platformës KSUEKS konsiderohej lokali “La Bonta”, në pronësi të shtetasit Arbër Çela i cili u izolua nën masën e arrestit me burg për 60 ditë. Të informuar për zhurmën publike që po bëhej, personat që shkonin atje për investime ishin udhëzuar të mos flisnin. Loja zgjati disa muaj me mashtrime, derisa pjesëmarrësit kuptuan se pikët që fitonin ishin false dhe autoritetet nisën hetimet.

“4 muaj – 2 sinjale ne dite. Futa dhe vëllain sepse mendoja se fitohej mirë. U futa sepse të gjithë thonin se fitohej dhe po fitonin”, u shpreh i mashtruari nga piramidat online.

“Unë i shikoja pikë. Ata shtoheshin pikët, por nuk arrita që ti tërheq. U dogja unë, u dogj dhe vëllai dhe të gjithë shokët e mi që jemi futur në muajt e fundit të gjithë jemi djegur”, u shpreh i mashtruari nga poramidat online.

Viktimat e mashtrimeve nuk guxojnë të identifikohen. Kjo, edhe për një arsye: ata që i përfshinë në skemë janë kryesisht të afërm që ose u mashtruan, ose synonin zgjerimin e rrjetit për përqindjet e tyre.

‘Të gjithë shokët e mi u dogjën. Kanë fituar vetëm ata që ishin të parët. Ne të tjerët u dogjëm. U joshëm se u përhap shumë në fakt. Ishte grupi i Telegramit, ishim qindra anëtarë pa ekzagjerim”, u shpreh i mashtruari nga piramidat online.

‘Të parët, 10 apo 20% fitojnë, ndërsa 80% humbasin. Për të tjerët sistemi bllokohet, Por dhe ata që janë në fillim dhe marrin fitimet e para,njeriu është i pangopur dhe bien pre e lakmisë dhe në këtë mënyrë ata i rihidhen sërish fitimet e tyre dhe mbesin brenda”, u shpreh Fatjon Kadillari, ekspert kriptomonedhash.

Një ndër problemet që kanë shkaktuar këto skema është dhe përplasja e familjarëve me njëri-tjetrin. Pasi kanë humbur paratë, viktimat e skemës kanë kërkuar llogari tek të afërmit e tyre që i përfshinë. Diçka të tillë e thotë dhe i intervistuari ynë.

Top Channel