Inside Story / A kishte fitimtarë?! Rrëfimet: Karremi që zhvati mijëra qytetarë

24/09/2025 21:31

Ka pasur disa mënyra investimi dhe futjeje në skemën mashtruese. E para ishte me agjentët që të hapnin llogarinë në XUEX. Kjo ndodhte me anë të kriptove, ku hapej profil në XUEX. Pjesa tjetër dhe më e përhapura ka qenë me lekë në dorë.

“Kemi pasur dy tipe investimesh: investimi i parë ishte për ata persona që nuk dinin si të përdornin exchange dhe i kanë dhënë dorazi dhe i kanë marrë dorazi. Kishte dhe një valë të dytë, që gjithë këta persona që kanë hapur një llogari në Binance dhe i kanë kaluar në USDT. Binance është përdorur si ndërmjetës në të gjithë këtë rrugë. Më pas kanë kaluar llogarinë e USDT në një portofol tjetër që ka qenë i hapur në Binance. Paratë janë kthyer sërish në Binance. Është përdorur exchange i ligjshëm për të gjithë ata që morën para për herën e parë. Dorën e parë. Skemë tipike mashtrimi,” – Denisa Kele, eksperte kriptomonedhash.

Nëse një qytetar kërkonte të bëhej pjesë e skemës, paguante rreth 90 mijë lekë në dorë te një person që kishte pikë në XUEX dhe ky i fundit ia kalonte manualisht. Një formë kjo që ka funksionuar shumë dhe në fakt ka sjellë edhe probleme mes njerëzve. Madje, edhe ndërmjet familjarëve, në momentin që aplikacioni është mbyllur dhe paratë janë humbur.

“Kjo ka qenë një skemë shumë e sofistikuar. Mund të them se personat që e kanë krijuar, kanë dijeni shumë të mirë se si funksionojnë skema të tilla. Pjesë e skemës është që qytetarët e parë që do të investonin, kanë marrë fitimet e tyre. Kjo krijon besueshmëri te qytetarët që kjo është skemë e ligjshme dhe që ti mund të fitosh. Në momentin që qytetarët e parë kanë marrë fitimet e tyre, ata kanë lajmëruar dhe familjarët,” – u shpreh Denisa Kele, eksperte kriptomonedhash.

Skema të tilla janë zbuluar vetëm gjatë verës së vitit 2025 për shkak të denoncimeve dhe aksionit policor, por XUEX dhe simotrat e tij kanë më shumë se 1 vit e gjysmë që veprojnë në vendin tonë.

Ajo çfarë të bën më shumë përshtypje është fakti se në të kanë marrë pjesë persona që konsiderohen me njohuri dhe intelekt për t’u mashtruar.

“Një pjesë e qytetarëve që kanë investuar, të paktën me ata që kam folur unë, janë me profesione: inxhinierë, mësues, ekonomistë, njerëz me intelekt. Ka pasur dhe të rinj pafund. Bëhet rreth 1 vit e gjysmë që jam në dijeni të kësaj skeme. Shumë qytetarë më kanë shkruar dhe jam munduar t’i paralajmëroj që është një mashtrim. I ka të gjitha etapat dhe format që të bëjnë të mendosh për një skemë piramidale,” – u shpreh Denisa Kele, eksperte kriptomonedhash.

“Ne kemi pasur shumë pyetje, jo vetëm tani, por edhe para se të dilnin në publik, por përgjigjet tona kanë qenë shumë të shkurtra dhe të sinqerta, që aplikacioni nuk ka të bëjë me gjëra zyrtare, nuk ishte zyrtar dhe e kalonim. Nuk mendonim se do të merrte përmasa të tilla,” – u shpreh Fatjon Kadillari, ekspert kriptomonedhash.

Top Channel