E Ngarkuara me Punë e SHBA Nancy VanHorn takon ministrin e Drejtësisë: Çmontimi i krimit të organizuar, përparësi e Administratës Trump

24/09/2025 13:34

Ndërsa qeveria e re tashmë ka marrë formë dhe ka nisur punën, aleatët ndërkombëtarë shprehin angazhimin për bashkëpunim për thellimin e reformave me rëndësi.

Këtë të mërkurë, e Ngarkuara me Punë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në  Tiranë, Nancy VanHorn, zhvilloi një takim me ministrin e ri të drejtësisë, Besfort Lamallari, ku fokusi kryesor ishte forcimi i bashkëpunimit për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste.

“Duke hapur rrugën për një bashkëpunim më të fortë në fusha me interes të ndërsjellë, sot e Ngarkuara me Punë Nancy VanHorn takoi Ministrin e Drejtësisë, Besfort Lamallari, në fillim të mandatit të tij të ri. Koordinimi i efektshëm me sistemin e drejtësisë penale në Shqipëri është kyç për çmontimin e krimit të organizuar dhe grupeve terroriste, një nga përparësitë kryesore të Administratës Trump”-thuhet në njoftimin e Ambasadës Amerikane në Tiranë.

Për aleatin kryesor të vendit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ecuria e zbatimit të reformës në drejtësi, sundimi i ligjit dhe forcimi i shtetit të së drejtës mbeten kyçe për vendin tonë. Për thellimin e këtyre reformave, E Ngarkuara me Punë e SHBA, VanHorn, ka zhvilluar më herët takime edhe me zyrtarë të tjerë në vend, si kreun e parlamentit, Niko Peleshi, apo kryeprokurorin e SPAK, Altin Dumani.

Top Channel