Zhvillimi i marinave/ Arkitekti Luca Dini i bashkohet skuadrës së Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjetikës, Balluku: Përvoja e tij, vlerë e shtuar

23/09/2025 14:20

Arkitekti i njohur, Luca Dini i është bashkuar skuadrës së Minsitrisë së Infrastrukturës dhe Energjitikës, për strategjinë e zhvillimit të marinave, ka lajmëruar zv/kryeiministrja Belinda Balluku.

Gjatë prezantimit të tij, Balluku u shpreh se ‘përvoja, njohuritë dhe ekspertiza janë një vlerë e shtuar dhe e pazëvendësueshme, që do të na ndihmojnë të ndërtojmë një model të qëndrueshëm dhe konkurrues të turizmit detar, në përputhje me standardet më të mira europiane’

Pjesë nga takimi:

Balluku: Në Konferencën e 5-të ndërkombëtare për Marinat Inteligjente dhe të Qëndrueshme të zhvilluar në Monako, bëra prezantimin e strategjisë kombëtare të Shqipërisë për marina, së bashku me një nga arkitektët më të njohur italian, Luca Dini, i cili na është bashkuar muajt e fundit në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë dhe është duke dizenjuar, së bashku me skuadrën e tij, një nga strategjitë më inovative për marina, duke e bërë kështu pjesë Shqipërinë të një rrjeti që nis nga Kroacia, Mali i Zi dhe më pas kalon për në Greqi. Sigurisht, industria detare është një nga industritë më të rëndësishme, por nuk mund të jetë vetëm industri komerciale, tregtare, e ngarkimit apo shkarkimit të mallrave të ndryshme, por nga ana tjetër, është edhe një industri e cila është lidhur ngushtësisht me turizmin dhe për të gjetur çelësin e suksesit duhen mjeshtra të mëdhenj, ashtu siç është Luca Dini.

Pra, i dashur Luca, po shpjegoja çfarë kemi bërë sot në Monako në këtë konferencë me të vërtetë të rëndësishme, që ka të bëjë me marinat inteligjente që sot po ndërtohen në gjithë Evropën, por nga ana tjetër edhe ato që janë ndërtuar prej vitesh po pësojnë ndryshime për ta çuar këtë industri të re në një nivel tjetër. Çfarë po ndodh me Shqipërinë?

Luca Dini: Atëherë, mirë a keq, jemi me fat sepse nga ky këndvështrim po nisim nga një fletë bosh. Kemi një fletë bosh mbi tavolinë, siç ndodh shpesh në studiot e arkitekturës dhe duhet të të vijë ideja fituese. Ja pra, ideja fituese vjen edhe nga përvoja. Ne kemi mbi 30 vjet që jemi në këtë fushë, ideja e parë ka qenë ajo e krijimit të një marine të vitit 3000, jo një marine që frymëzohet nga e kaluara. Duhet të mendojmë për një përdorim inteligjent të bregdetit, me respekt. Me respekt edhe për traditat e vendit tuaj dhe mbi të gjitha të krijojmë atë që ende nuk ekziston në botën e yachting-ut: një marinë të shpërndarë.

Kjo do të thotë të krijojmë që në fillim një manual me rregulla të qarta se si duhet ndërtuar, por mbi të gjitha të përdoren marinat jo më si parking për anije, por si një aktivizim i gjithë vendit. Nga marina fillohet, pra nga deti mbërrin për të shkuar në tokë, jo anasjelltas siç është bërë vitet e fundit. Nga deti nisesh për të zbuluar fshatrat në male, për të zbuluar qytetet që ka, kulturën që ka Shqipëria. Pra, ideja është të studiohet një strategji duke filluar nga zero, një strategji e synuar për të krijuar një vend që në Mesdhe ende nuk ekziston.

Ministrja Balluku: Dhe kjo është një histori e bukur për t’u besuar, por nga ana tjetër kërkon shumë punë, jo vetëm nga ministritë e linjës, apo institucionet shtetërore, por edhe nga investitorët që duhet të kuptojnë si do të funksionojë kjo marinë e re, inteligjente.

Luca Dini: Qasja duhet të jetë krejtësisht e kundërt me atë që ka qenë deri tani. Investitori duhet të përqafojë projektin dhe vizionin, jo anasjelltas. Shpesh investitori mendon të imponojë shifra, metra katrorë, por nuk është kështu. Në këtë vend, sugjerimi ynë është pikërisht ai i përqendrimit fillimisht tek linjat udhëzuese: ku duam të shkojmë, çfarë duam të bëjmë. Kjo vjen edhe nga përvoja jonë në yachting, ne dimë saktësisht çfarë kërkojnë pronarët e anijeve. Ata kërkojnë përvoja, nuk kërkojnë më një vend ku të tregojnë pasurinë e tyre, ata duan të përjetojnë një eksperiencë edhe një eksperiencë kulturore.

Ministrja Balluku: Çfarë do të thotë kjo? Pra, një marinë nuk është vend parkimi, është diçka tjetër.

Luca Dini: Absolutisht. Ajo që ka qenë deri tani, deri para disa vitesh, ka qenë vërtet vendi ku të pasurit tregonin sa të fuqishëm ishin. Sot kjo ide është plotësisht e ndryshuar. Sot pronarët e anijeve duan të mbërrijnë në një marinë për të përjetuar eksperienca, që mund të jenë që nga një restorant tipik lokal deri tek mundësia për të marrë një mjet dhe për të vizituar vendet përreth. Kthehet në një udhëtim, marina bëhet pjesë e udhëtimit dhe përvojës, nuk është pika e mbërritjes. Nuk është më si dikur: “Arrij këtu dhe ju tregoj sa i fuqishëm jam.” Nuk është më kështu. Njerëzit kanë shumë më tepër kulturë dhe respekt dhe, megjithëse kanë mundësi të mëdha, duan të zbulojnë vendet. Ata nuk duan të jetojnë në Shqipëri sikur të ishin në Sardenjë, apo si në Amerikë. Ata duan të jetojnë Shqipërinë, traditën, kulturën që ka këtu. Kjo është një gjë shumë e bukur që po e zbulojmë pas disa vitesh dhe është ajo mbi të cilën kemi bazuar, së bashku me ju, strategjinë. Po studiojmë pikërisht strategjinë se si vendi do të ofrojë përdorimin e bregdetit dhe të marinave të reja që do të lindin.

Ministrja Balluku: Nga ana tjetër kërkohet të kemi të gjithë personelin që do të operojë këto marina, kështu që një sfidë tjetër do të jetë krijimi i një grupi njerëzish, të rinjsh, që në të ardhmen do të punojnë në këto marina.

Luca Dini: Kjo do të jetë një mundësi e madhe, krijimi i shkollave të dedikuara pikërisht për këtë. Ka nevojë absolute për ekuipazhe që e dinë çfarë do të thotë të jesh në bord të një yacht-i. Ka nevojë për vende dhe hapësira të dedikuara yachting-ut. Nuk është më si dikur. Dikur ekuipazhet ishin shpesh banorë lokalë që gjatë verës bënin sezonin me zotërinjtë e pasur në bord. Nuk është më kështu. Kjo ishte bota e viteve ’70, nuk është aspak më kështu. Sot kemi nevojë për profesionistë, profesionistë të shërbimit dhe prandaj ata duhet të edukohen në një nivel ndërkombëtar. Kjo është e rëndësishme. Duhet dhe do të bëhet një vend ndërkombëtar me shkolla ndërkombëtare dhe kjo i jep mundësi vendit të rritet shpejt dhe në një nivel shumë të lartë.

 

Top Channel