
Reperja e njohur Cardi B ka reaguar ashpër ndaj pyetjeve mbi arsyen pse ende nuk e ka finalizuar divorcin nga ish-partneri i saj, Offset.
Sipas saj, procesi po zvarritet për shkak të pengesave financiare që ai po i vendos.
Artistja 32-vjeçare, e cila është në pritje të fëmijës së saj të parë me lojtarin e NFL-së Stefon Diggs, tha se ligjërisht është e ndarë nga Offset, por divorci vazhdon të mbetet në pritje.
“E vetmja mënyrë që unë mund të marr një divorc është të paguaj taksat e tij dhe t’i jap një nga pronat e mia. Po luftoj për këtë dhe do të vazhdoj të luftoj. Nuk ka të bëjë fare me dashurinë”, shkroi Cardi B në Twitter.
Ajo e bëri të qartë se ndonëse jeton jetën e saj, “në letra” është ende e martuar, gjë që e bën të ndihet si “peng” i ish-it të saj.
Cardi B ka tre fëmijë me Offset – Kulture 7 vjeç, Wave 4 vjeç dhe Blossom 12 muajsh. Ndërkohë, lidhja e saj me Stefon Diggs po përballet me polemika, pasi një grua ka paditur futbollistin duke pretenduar se ai është babai i vajzës së saj 5-muajshe. Reperja reagoi edhe ndaj kësaj çështjeje në një transmetim “live”:
“A është ky babai i fëmijës suaj? Epo, ai është edhe babai i fëmijës tim. Dhe tani? Nuk e di, do ta zbulojmë”.
Ky zhvillim ka ndezur diskutime të mëdha në rrjetet sociale, ku fansat ndahen mes mbështetjes për reperen dhe kritikave për marrëdhënien e saj të re.
Top Channel