Në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal, arrestohet 52-vjeçari

23/09/2025 13:28

Është arrestuar këtë të martë shtetasi Robert Myftari, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për trafik droge dhe pjesëmarrje në grup kriminal.

Uniformat blu bëjnë me dije se sipas hetimeve, Myftari rezulton si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.

Njoftimi:

Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Kufitare Rinas, në hyrje bënë kapjen dhe ekzekutimin e masës së sigurisë “Arrest në burg”, për shtetasin në kërkim ndërkombëtar Robert Myftari, 52 vjeç, banues në Vlorë.

Gjykata e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me vendimin nr.63, të datës 22.06.2020, ka caktuar për këtë shtetas masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikimi i lëndëve narkotike”, në bashkëpunim, në kuadër të grupit të strukturuar kriminal, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Pjesëmarrja në grup të strukturuar kriminal”.

Shtetasi i lartpërmendur është hetuar në kuadër të një procedimi penal nga SPAK ku nga hetimet ka rezultuar si i përfshirë në bashkëpunim dhe me shtetas të tjerë, në trafikimin e sasive të konsiderueshme të Cannabis Sativës nga Shqipëria në drejtim të vendeve të BE-së, në periudhën 2016-2018.

Materialet do t’i kalojnë për kompetencë Prokurorise së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar

Top Channel