
Për shumicën, dita e dasmës simbolizon një fillim të ri, të mbushur me dashuri, shpresë dhe premtime për një të ardhme së bashku. Por, jo gjithmonë është ashtu.
Disa njerëz që e shohin nga afër këtë ditë, si fotografët e dallojnë herët kur diçka nuk shkon.
Fotografi i njohur i dasmave në Kaliforninë Jugore, Christopher Todd Griffiths, me mbi dy dekada përvojë, thotë se ka mësuar të dallojë sinjalet e një marrëdhënieje që s’mund të zgjasë.
“Kur njëri nga partnerët, sidomos dhëndri, refuzon të bëjë foto, zakonisht është sinjal i mungesës së angazhimit ndaj partnerit apo momentit,” shpjegon ai. “Është një ditë që duhet të jetë e rëndësishme për të dy, dhe mungesa e bashkëpunimit është një shenjë paralajmëruese”, u shpreh fotografi për Daily Mail.
Por sinjalet nuk ndalen me kaq. Ka çifte që, edhe në ditën e dasmës, nuk kanë kimi mes tyre. Sipas Griffiths, është e lehtë të dallohet kur dy njerëz nuk ndihen mirë pranë njëri-tjetrit, edhe kur përpiqen të buzëqeshin përpara kamerës.
Fotografi tjetër, Devin Dugard, vë në dukje një tjetër detaj. “Zgjidhja e problemeve në moment tregon shumë. A funksionojnë si ekip, apo e kthejnë situatën kundër njëri-tjetrit?” pyet ai.
Shmangia e kontaktit me sy është një tjetër sinjal i dukshëm. Edhe pse është e kuptueshme të ndihesh pak i tensionuar para kamerave, kur partnerët nuk shohin njëri-tjetrin në sy, veçanërisht në një ditë të tillë, kjo mund të tregojë mungesë lidhjeje emocionale.
Por ndonjëherë, problemet nuk shfaqen menjëherë. Disa martesa zgjasin disa vite përpara se njëri nga partnerët, shpesh gruaja, të ndiejë nevojën për ndryshim. Sipas disa rrëfimeve të grave të moshës së mesme, pikërisht menopauza bëhet moment reflektimi dhe “zgjimi”.
“Gjithë jetën e kemi kaluar duke u kujdesur për të tjerët. Një ditë, e kupton se ke humbur veten,” rrëfen për USA Today Melissa McClure, e divorcuar pas shumë vitesh martese.
“Nuk ishte krizë moshe. Ishte ndjesia e qartë se jeta që po jetoja nuk më përfaqësonte më,” shton ajo. Prej tri vitesh është e ndarë dhe thotë se nuk ka qenë kurrë më e lumtur.
Top Channel