“Do të postoj fotot në rrjete sociale”/ Arrestohet i riu, kërcënonte 23-vjeçaren për t’i marrë para

23/09/2025 11:11

Një 25-vjeçar është vënë në pranga pasi kërcënonte një 23-vjeçare se do t’i publikonte fotot e saj në rrjetet sociale.

Sipas uniformave blu, i riu nga Burreli, shtetasi me iniciale B.K., i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së 23-vjeçares në rrjete sociale dhe kishte hapur llogari të tjera false, me fotot/videot e saj, nga të cilat e kërcënonte për t’i dhënë para.

Në 2 celularët që iu sekuestruan të arrestuarit, u gjetën aktive llogaritë false në rrjete sociale.

Njoftimi:

Kanoste një 23-vjeçare, për t’i dhënë para, nëpërmjet llogarive false që kishte hapur në rrjete sociale, me fotografitë e saj, arrestohet 25-vjeçari.

Sekuestrohen 2 celularë me llogaritë false aktive në ta.

Menjëherë pas kallëzimit të një 23-vjeçareje, se një shtetas i kishte vjedhur kredencialet e llogarisë së saj në rrjete sociale dhe kishte hapur llogari të tjera false, me fotot/videot e saj, nga të cilat e kanoste për t’i dhënë para, specialistët e Seksionit për Hetimin e Krimeve Kibernetike, në bashkëpunim me specialistët e Forcës së Posaçme Operacionale, nisën punën për zbardhjen e autorësisë.

Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore dhe operacionale, të kryera në kuadër të operacionit “The ghost”, u identifikua dhe u vu në pranga autori i dyshuar, shtetasi B. K., 25 vjeç, banues në Burrel.

Në 2 celularët që iu sekuestruan të arrestuarit, u gjetën aktive llogaritë false në rrjete sociale.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel