“Dëmi më i madh për një qenie njerëzore”/ Babai i Yamal ‘shpërthen’ pas Topit të Artë: Lamine është më i miri në botë me diferencë të madhe

23/09/2025 13:17

Lamine Yamal ka humbur garën për Topin e Artë, pavarësisht një sezoni të jashtëzakonshëm me Barcelonën dhe kombëtaren spanjolle – dhe kjo ka shkaktuar reagime të forta nga familja e tij.

Ylli i Barcelonës dhe Spanjës përfundoi në vendin e dytë, pas Ousmane Dembele, i cili fitoi çmimin prestigjioz pas një sezoni fenomenal me PSG-në. Francezi shënoi 35 gola dhe regjistroi 16 asistime, duke ndihmuar ekipin parisien të fitojë një trefish historik: Ligue 1, Kupën e Francës dhe Ligën e Kampionëve.

Nga ana tjetër, Yamal realizoi 18 gola dhe kontribuoi në trefishin vendas të Barcelonës: La Liga, Kupa e Mbretit dhe Superkupa e Spanjës. Pavarësisht sukseseve të tij, ai u vlerësua vetëm me trofeun Kopa – çmimi që i jepet lojtarit më të mirë nën 21 vjeç.

Kjo nuk u prit mirë nga familja e tij, sidomos nga babai i tij, Mounir Yamal, i cili reagoi ashpër në një intervistë për “El Chiringuito”.

“Mendoj se kjo është… jo një vjedhje, nuk do ta quaj kështu, por dëmi më i madh moral për një qenie njerëzore,” tha ai.

“Besoj se Lamine është lojtari më i mirë në botë, me diferencë të madhe. Jo sepse është djali im… por sepse është më i miri, nuk ka rivalë. Diçka shumë e çuditshme ka ndodhur këtu. Përshëndetje të gjithëve në Spanjë – vitin tjetër Topi i Artë do të jetë spanjoll, do të jetë i yni!”

Top Channel