Gazetari francez konfirmon Dembelen si fituesin e Topit të Artë, prestigjiozja ‘Marca’ ngre pikëpyetje: Të gjithë do të shokohen

22/09/2025 17:59

Ashtu si çdo vit, edhe këtë edicion të Topit të Artë e paraprin një “traditë moderne”: rrjedhja e emrit të fituesit pak orë para ceremonisë zyrtare që mbahet sonte në mbrëmje në Paris.

Në epokën e rrjeteve sociale, shpallja jozyrtare e fituesit është kthyer tashmë në zakon – edhe pse organizatorët këmbëngulin se emri i vërtetë mbahet i fshehtë deri në momentin final.

Megjithëse votimet janë mbyllur që më 4 shtator, vetëm një person e njeh me siguri rezultatin: Vincent Garcia, kryeredaktori i revistës prestigjioze France Football, e cila ndan çmimin. Ai betohet se nuk ia ka treguar askujt – madje as kolegëve të tij te gazeta L’Équipe, edhe ajo pjesë e të njëjtit grup mediatik, Groupe Amaury.

Por mëngjesin e sotëm, gazetari i njohur francez Romain Collet-Gaudin ka postuar në platformën X një mesazh të prerë: “Ousmane Dembélé, fituesi i Topit të Artë 2025.”

Sipas tij, sulmuesi 28-vjeçar i PSG-së do të jetë emri që do të ngjitet në majën e futbollit botëror, duke triumfuar ndaj konkurrentëve të tjerë të fortë si Lamine Yamal dhe Mohamed Salah. Dembélé, me një sezon të jashtëzakonshëm dhe triumf në Champions League, besohet të ketë fituar zemrat e votuesve.

Ndërkohë, Marca shkruan se emri i fituesit “do t’i shokojë të gjithë”, duke shtuar edhe më shumë tension dhe kureshtje përpara ceremonisë.

Nëse Dembélé është me të vërtetë fituesi, atëherë do të bëhej një prej emrave më befasues që ka fituar ndonjëherë këtë çmim.

Lamine Yamal, megjithëse është vetëm 18 vjeç, ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm me Barcelonën dhe Spanjën, por mungesa e një trofeu madhor si Liga e Kampionëve mund t’i ketë kushtuar.

Ceremonia zyrtare zhvillohet sonte në Paris dhe pritet me padurim nga tifozët në mbarë botën.

Top Channel