Fedez emocionon fansat në Milano, mesazh i papritur për Chiara Ferragni?

22/09/2025 18:43

Reperi italian Fedez ndezi skenën e Forum Assago në Milano me një koncert të mbushur me energji, por edhe me një dimension të papritur personal.

Përveç performancave muzikore, ai surprizoi publikun me një mesazh të ndjerë për ish-bashkëshorten, Chiara Ferragni.

Artisti, i prekur nga emocionet, kujtoi fillimet e tij në këtë skenë:

Kanë kaluar 10 vjet nga koncerti im i parë këtu dhe 6 nga hera e fundit. Është ndjesi e bukur të rikthehesh në shtëpi.

Pas interpretimit të këngës “Allucinazione collettiva”, që pasqyron periudha të vështira në jetën e tij, Fedez ndali performancën për të reflektuar mbi marrëdhënien me Ferragni:

Rrugët tona vazhdojnë, por historia nuk fshihet. Nuk do të mohoj kurrë një lidhje që na ka dhënë fëmijët tanë të mrekullueshëm. Ajo do të mbetet e pathyeshme, sepse ka lidhje të padukshme që nuk shuhen kurrë.

Publiku shpërtheu në duartrokitje, duke pritur me surprizë fjalët e reperit, pasi dyshja kishte kohë që nuk bënte deklarata publike për njëri-tjetrin pas ndarjes së bujshme.

Deklarata e tij vjen disa ditë pas publikimit të fotove ku Fedez dhe Chiara u panë bashkë përpara shkollës së fëmijëve, në prani të partnerëve të rinj.

Ky gjest u komentua gjerësisht si një shembull i bashkëprindërimit të shëndetshëm, pavarësisht polemikave që kanë shoqëruar marrëdhënien e tyre. /TAR

Top Channel