
Përleshje të dhunshme shpërthyen në Hagë, Holandë, ku protestues anti-imigracion u përplasën me policinë.
Tridhjetë persona u arrestuan, dy oficerë u plagosën dhe një makinë policie u dogj gjatë trazirave.
Rreth 1,500 protestues bllokuan një autostradë dhe hodhën gurë e shishe ndaj forcave të rendit, të cilat u përgjigjën me gaz lotsjellës dhe topa uji. Dhuna shpërtheu gjatë një proteste të organizuar nga një aktivist i krahut të djathtë që kërkon politika më të ashpra ndaj azilkërkuesve.
Kryeministri Dick Schoof dhe lideri i ekstremit të djathtë, Geert Wilders, dënuan dhunën si të papranueshme. Selia e partisë D66, e qendrës së majtë, u sulmua dhe dritaret u thyen. Lideri i saj, Rob Jetten, u shpreh se “ekstremistët nuk do ta marrin vendin tonë të bukur”.
Protestat vijnë në një klimë tensioni të lartë pas rrëzimit të qeverisë holandeze në qershor, pas një përplasjeje për politikat e migracionit. Wilders ka kërkuar masa drastike, përfshirë ngrirjen e azilit dhe ndalimin e qendrave të pritjes.
Ndërsa vendi përgatitet për zgjedhjet e 29 tetorit, tensionet rreth imigracionit dhe ekstremizmit të djathtë pritet të mbeten në qendër të debatit publik dhe politik.
Top Channel