
Banorët e Gazës përjetuan një tjetër natë terrori, ndërsa sulmet me dronë dhe mjete shpërthyese të ushtrisë izraelite vazhduan pandërprerë deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Të paktën 46 palestinezë u vranë, shumica prej tyre brenda banesave të tyre në Qytetin e Gazës.
Pavarësisht bombardimeve të vazhdueshme, shumica e banorëve mbeten në shtëpitë e tyre ose në strehimore të improvizuara. Arsyeja, sipas tyre, është e thjeshtë, nuk është e sigurt të largohen, pasi rrugët dhe kampet për personat e zhvendosur janë të mbushura me mjete shpërthyese të telekomanduara.
Atmosfera gjatë natës ishte e rëndë dhe mbytëse për shkak të tymit, ndërsa lëvizja e qytetarëve ishte thuajse e pamundur. Sulmet morën jetën e të paktën 46 personave, ndërsa më i rëndë ishte ai që goditi një kompleks banesash në lagjen Sabra, ku ishin strehuar familje të ikura nga zona Zeitoun për shkak të përparimit të ushtrisë izraelite.
Shumica e viktimave i përkisnin të njëjtës familje. Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin trupat e 14 personave, por shumë të tjerë janë ende të zhdukur nën rrënoja. Përpjekjet e kërkimit vazhdojnë, megjithëse shpresat për të gjetur të mbijetuar po zbehen gjithnjë e më shumë.
Që nga java e kaluar, ushtria izraelite ka intensifikuar fushatën për shembjen e ndërtesave të larta në Qytetin e Gazës, përveç ofensivës tokësore që është në zhvillim.
Në ditët e fundit, forcat izraelite që kanë marrë kontrollin e periferive lindore të qytetit kanë bombarduar lagjet Sheikh Radwan dhe Tal al-Hawa, duke synuar të konsolidojnë praninë e tyre përpara përparimit drejt zonave qendrore dhe perëndimore, ku është strehuar shumica e popullsisë. Sipas ushtrisë izraelite, gjatë dy javëve të fundit janë shembur deri në 20 ndërtesa të larta në qytet.
Mediat izraelite raportojnë se ushtria beson se më shumë se 500,000 persona janë larguar nga qyteti që prej fillimit të shtatorit. Megjithatë, Hamasi kundërshton këtë shifër, duke deklaruar se numri i të zhvendosurve nuk i kalon 300,000 dhe se rreth 900,000 persona mbeten ende në qytet, përfshirë edhe pengjet izraelite.
Australia pritet të njohë sot shtetin e Palestinës në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së
Në një zhvillim të rëndësishëm diplomatik, Australia pritet të njoftojë sot njohjen zyrtare të shtetit palestinez gjatë Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, sipas një zyrtari të lartë të administratës Trump, cituar nga “The Times of Israel”.
Ky veprim e vendos Australinë si vendin e tretë perëndimor që ndërmerr një hap të tillë, pas Mbretërisë së Bashkuar dhe Portugalisë, të cilat gjithashtu pritet të shpallin njohjen e Palestinës para ose gjatë samitit të OKB-së.
Sipas zyrtarit amerikan, ky vendim po merret pavarësisht kundërshtimeve të Shteteve të Bashkuara. “Ne u thamë atyre se nuk është i dobishëm,” tha zyrtari, duke shtuar se Australia e justifikoi vendimin me “konsiderata të brendshme transparente”.
Top Channel