
Qeveria britanike do ta njohë sot shtetin e Palestinës, pavarësisht presionit të fortë nga Shtetet e Bashkuara për të mos e bërë këtë, sipas mediave britanike.
Kryeministri britanik Keir Starmer njoftoi në korrik se vendi i tij do ta njihte shtetin e Palestinës me rastin e Asamblesë së 80-të të Përgjithshme në shtator, nëse Izraeli nuk do të merrte një sërë masash, përfshirë shpalljen e një armëpushimi në Rripin e Gazës.
Duke vënë re përkeqësimin e situatës, kryeministri laburist Starmer pritet ta ratifikojë këtë vendim, sipas raportimeve nga BBC, Guardian dhe Press Association.
Keir Starmer thotë se me këtë hap Britania kërkon të promovojë një proces të vërtetë paqeje. Duke reaguar, kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu e akuzoi atë për shpërblimin e “terrorizmit monstruoz” dhe ndjekjen e një politike paqësimi kundër ideologjisë “xhihadiste”.
Njohja pritet në një kohë kur Izraeli vazhdon një operacion tokësor dhe ajror në Qytetin e Gazës, në pjesën veriore të enklavës palestineze , për të zhdukur lëvizjen islamiste palestineze Hamas.
Presioni mbi kryeministrin britanik u intensifikua pasi Presidenti francez Emmanuel Macron njoftoi se Parisi do të njihte një shtet palestinez në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, i ndjekur nga rreth një duzinë vendesh të tjera.
Rreth tre të katërtat e 193 shteteve anëtare të OKB-së e kanë njohur shtetin e Palestinës, i cili u shpall nga udhëheqja palestineze në mërgim në vitin 1998.
Top Channel