Pas Francës dhe Belgjikës, Portugalia do t’i bashkohet listës së vendeve që njohin shtetin e Palestinës

20/09/2025 17:20

Portugalia i është bashkuar Australisë, Kanadasë, Francës, dhe Mbretërisë së Bashkuar pasi ka njoftuar se do të njohë shtetin palestinez.

Në një deklaratë të premten, Ministria e Punëve të Jashtme e Portugalisë tha se njohja do të bëhet të dielën, një ditë para një konference të nivelit të lartë mbi shtetësinë palestineze në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (UNGA).

“Ministria e Punëve të Jashtme konfirmon se Portugalia do ta njohë Shtetin e Palestinës”, shkroi ministria në një deklaratë në faqen e saj të internetit.

Njoftimi i Portugalisë vjen disa ditë pasi një hetim historik i OKB-së zbuloi se lufta e Izraelit në Gaza përbën një gjenocid.

Ndërkohë më herët, një këshilltar i presidentit francez Emmanuel Macron tha se Andorra, Australia, Belgjika, Luksemburgu, Malta dhe San Marino po ashtu po planifikojnë të njohin shtetin e Palestinës së bashku me Francën në takimin e nivelit të lartë që do të mbahet të hënën me Arabinë Saudite në New York.

Po ashtu, Kanadaj dhe Mbretëria e Bashkuar kanë deklaruar gjithashtu se kanë ndërmend të bëjnë të njëjtën gjë si Portugalia.

Ata do t’u bashkohen rreth 147 vendeve, që përfaqësojnë 75 përqind të anëtarëve të OKB-së, të cilat e kishin njohur tashmë shtetësinë palestineze që nga prilli i këtij viti, shkruan Aljazeera.

Portugalia ishte gjithashtu midis 145 vendeve që  votuan të premten për të krijuar një mundësi për Presidentin Palestinez Mahmoud Abbas për t’iu drejtuar Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së në Nju Jork javën e ardhshme me video, pasi Shtetet e Bashkuara ia mohuan vizën.

Top Channel