
Kryeministri Edi Rama po bën prezantimin e Ministrisë së Brendshme, ku për herë të parë në vendin tonë, detyra i është besuar një gruaje.
Kreu i qeverisë u shpreh se Albana Koçiu nuk do të jetë kryepolici i vendit, por duhet të merret me punët e brendshme, teksa përmendi shërbimin zjarrfikës dhe adresat.
“Në një farë mënyrë ky është një moment historik për Ministrinë e Punëve të Brendshme pasi për herë të parë drejtimin e kësaj ministrie e merr një grua. Ministrja e re, Albana Koçiu vjen sot në krye të Punëve të Brendshme në një profil krejt tjetër nga tërë paraardhësit e saj dhe me një mision shumë të qartë; ta kthejë këtë ministri nga një ministri tradicionalisht e Policisë sipas standardit shqiptar, në një ministri të Punëve të Brendshme sipas standardit evropian. Punët e Brendshme nuk janë kurrsesi thjesht dhe vetëm punët e Policisë së Shtetit, pavarësisht se Policia e Shtetit zë sferën më të madhe të punëve të shtetit dhe askush, natyrisht nuk e vë në diskutim këtë fakt.
Ka ardhur koha që askush të mos vërë në diskutim as faktin tjetër, që ligji ynë dhe praktika e kudondodhur e vendeve demokratike, e thonë në të gjithë gjatësinë dhe të gjithë gjerësinë e tyre. Ministria e Punëve të Brendshme nuk bën punë policore dhe ministri i Brendshëm nuk është kryepolici i vendit. Jo vetëm pse ligji dhe praktika demokratike e thonë këtë, por mbi të gjitha për një sërë nevojash të mëdha, serioze, të pa adresuara prej dekadash ashtu siç duhet në punët tona të brendshme, ndryshimi radikal i profilit të ministrit të Punëve të Brendshme, është pikënisja logjike e ndryshimit përmbajtësor dhe cilësor që ministrja Koçiu duhet të sjellë në vizionin, qasjen dhe impaktin e kësaj Ministrie në mbarëvajtjen e punëve të brendshme të Republikës së Shqipërisë.
Si rezultat, i pikërisht fokusimit të kësaj ministrie për dekada, ekskluzivisht tek policia, sot e gjithë ditën, 35 vjet transformime demografike dhe transformim fizik i vendbanimeve të Shqipërisë, i qyteteve tona që nga Tirana, që janë sot shumë më të mëdha se ç ‘ishin 35 vite më parë, nuk e kemi ende një sistem funksional, integral adresash. Akoma sot, na e gjejnë shtëpinë me të pyetur apo me shenja në rrugë. Lum ata që kanë një pallat me shigjeta ose për shembull, sot kemi një sistem të prapambetur zjarrfikësish me gjithë ndryshimet e pamohueshme që kanë ndodhur, por në këtë mandat të 4-t, nuk më interesojnë dhe shpresoj të mos na interesojnë ndryshimet që kanë ndodhur, por duhet të na interesojnë ndryshimet që duhet të ndodhin, zjarrfikësit janë lënë gjithmonë në planin e dytë.”, shprehet Rama.
Top Channel