
Aktorja italiane Monica Bellucci dhe regjisori i njohur Tim Burton kanë zyrtarizuar përfundimin e lidhjes së tyre nëpërmjet një deklarate të përbashkët: Me respekt të madh dhe përkujdesje të ndërsjellë, kemi vendosur të ndahemi.
Çifti u njoh në tetor të vitit 2022 gjatë Festivalit Lumière në Lion të Francës, ku Bellucci i dorëzoi Burton-it çmimin për arritje në karrierë. Që prej atij momenti, dyshja nuk ishin ndarë më, duke krijuar një lidhje si në jetën private ashtu edhe në atë profesionale.
Ata bashkëpunuan edhe në filmin “Beetlejuice”, i cili u prezantua në Festivalin e Filmit në Venecia në vitin 2024. Në këtë vazhdim të komedisë së zezë të vitit 1988, Bellucci interpretoi Delores, një krijesë e frikshme që kërkon hakmarrje ndaj ish-bashkëshortit të saj Beetlejuice, rol i rikthyer nga Michael Keaton. Filmi ka pasur një sukses të madh në kinematë amerikane, duke arkëtuar gati 300 milionë dollarë.
Në vitin 2023, Monica Bellucci konfirmoi lidhjen me Tim Burton, pas disa muajsh spekulime. Ajo shprehej: “Jam shumë e lumtur që e kam takuar. E dua. Është një nga ato takime të rralla mes dy shpirtrash.”
Në një tjetër intervistë, ajo tregoi: “Jam e lumtur që kam takuar një burrë me një shpirt të mrekullueshëm dhe një regjisor që e admiroj thellësisht.”
Top Channel