“Mos më shikoni”/ Melania Trump rikthen kapelen misterioze në takim mbretëror

18/09/2025 12:13

Stilisti i saj mund të jetë i padukshëm, por stili i Melania Trump është gjithçka përveçse i heshtur.

Dhe kapela me strehë të gjerë, ajo që fsheh më shumë sesa zbulon, është rikthyer fuqishëm.

Melania si figurë enigmatike në Dior gri

Zonja e Parë u shfaq dje në Kalanë e Windsorit me një veshje gri të errët nga Dior, të kombinuar me një kapelë të madhe e të errët, që mbulonte fytyrën dhe krijonte një pamje gati si hije. Një siluetë e ftohtë, e mbështjellë nga misteri.

Ndërsa ecte pranë Mbretëreshës Camilla në oborrin e kështjellës, kontrasti mes tyre ishte i fortë: Camilla rrezatonte nën kapelen e saj elegante nga Philip Treacy, ndërsa Melania dukej sikur kishte ardhur nga një film noir, fytyrë e fshehur, buzë të mprehta, dhe një qëndrim që dukej të thoshte: “Mos më shikoni.”

Stil ushtarak dhe qëndrim sfidues

Kapelja e Melanias nuk ishte aty për të mbrojtur nga rrezet e diellit, një detaj që në Britani, në shtator, është më shumë simbolik sesa praktik. Në vend të kësaj, ajo ishte një deklaratë mode me subtekst: distancë, kontroll dhe një lloj elegance që nuk fton, por përjashton.

Veshja e saj ushtarake përforconte këtë imazh: e rreptë, precize dhe larg çdo përqasjeje sentimentale.

Mbrëmja e shndërrimit me Carolina Herrera

Por Melania është gjithmonë gati t’i çorodisë vëzhguesit e modës. Nëse gjatë ditës ajo u shfaq si figura më e mbyllur e banketit, në darkë ajo ndryshoi krejtësisht.

Në ambientet madhështore të sallës së Shën Gjergjit, ajo hoqi kapelen dhe u shfaq me një fustan të verdhë të fortë, në ngjyrën e luleradhiqes, nga shtëpia e modës Carolina Herrera. E belosur me një rrip sateni në ngjyrë vjollce dhe veshur me vathë smeraldi, pamja e saj ishte një ndërthurje e luksit amerikan me stilin aristokratik europian, si një zonjë nga “The Gilded Age”, e rikthyer në një skenë nga “Downton Abbey”.

Pa zë, por me mesazh: Melania, gjithmonë enigmë

Ajo nuk flet shumë në publik. Nuk jep shumë intervista. Dhe shpesh, nuk buzëqesh. Por Melania Trump e kupton fuqinë e imazhit. Dhe ndonjëherë, një kapelë mund të thotë më shumë sesa një fjalim.

Top Channel