Kaos në Parlamentin italian, seanca ndërpritet pas përplasjes fizike mes deputetëve

18/09/2025 13:17

Në Dhomën e Ulët të Parlamentit italian u miratua për herë të tretë projektligji për ndarjen e karrierave mes gjyqtarëve dhe prokurorëve, një reformë e mbështetur fort nga qeveria e djathtë.

Por dita e triumfit për shumicën u kthye në një kaos parlamentar, me përplasje fizike dhe ofendime të ashpra mes deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

Rreth orës 12:00, pas votimit të reformës, Ministri i Jashtëm Antonio Tajani (Forza Italia) shpërtheu në entuziazëm, duke e quajtur këtë një “fitore të madhe në emër të Silvio Berlusconit”. Ndërkohë, zv.ministri i Drejtësisë, Francesco Paolo Sisto, ngriti grushtat drejt qiellit në shenjë feste.

Këto reagime u panë si provokime nga opozita. Deputetët e Partisë Demokratike, Lëvizjes 5 Yje dhe Aleancës së Gjelbër-Socialiste, shpërthyen në thirrje kundërshtuese dhe protesta verbale.

Përplasjet zbresin në radhët e qeverisë

Deputetët e majtë, përfshirë emra si Fornaro, Cuperlo, Stumpo, Amendola dhe Elly Schlein, zbritën drejt bankave të qeverisë. Situata eskaloi dhe për pak u kthye në përleshje fizike. Komesarët e rendit parlamentar u detyruan të ndërhyjnë për të ndalur përplasjet dhe seanca u pezullua nga kryetari i Kuvendit, Sergio Costa.

Tajani: Nuk jam trembur nga kërcënimet e opozitës

Pas incidentit, Tajani mohoi të ketë duartrokitur në mënyrë provokative:

“Nuk kam duartrokitur. Por kjo është një fitore historike. Deputetët e PD dhe M5S erdhën poshtë bankave të qeverisë me kërcënime. Nuk më intimidojnë 20 deputetë që bëjnë skena. Disa prej tyre kanë qenë edhe ministra, duhet të silleshin ndryshe”, deklaroi ai për mediat.

Rrëmuja, një tentativë për të zbehur rëndësinë e reformës

Ministri i Drejtësisë Carlo Nordio tha se incidentet në sallë u përdorën si manovër për të tërhequr vëmendjen nga ajo që ai e quajti një fitore e madhe për shtetin e së drejtës “Kjo përplasje ishte e qëllimshme. Kishin humbur dhe kërkonin të zhvendosnin vëmendjen nga rëndësia e reformës”, tha ai.

FOTO GALERI
3/8

Top Channel