
Katër persona janë arrestuar pasi imazhe të Presidentit të SHBA-së, Donald Trump, financierit të turpëruar Jeffrey Epstein dhe Princit Andrew u projektuan në murin e Kështjellës Windsor, në kuadër të një proteste gjatë vizitës shtetërore të Trump në Britani.
Protesta vjen në një klimë të nxehtë politike dhe shoqërore në Mbretërinë e Bashkuar, me mijëra protestues që pritet të marshojnë në Londër dhe qytete të tjera gjatë dy ditëve të vizitës. Rreth 1,600 oficerë policie janë vendosur në kryeqytet, ndërsa janë paralajmëruar bllokime rrugësh për marshime të organizuara nga koalicioni “Stop Trump”.
Mbrëmjen e kaluar, aktivistët projektuan në muret e kështjellës një seri fotosh dhe videosh që tregonin marrëdhënien mes Trump dhe Epstein ndër vite. Një mesazh i shkruar nga Trump për Epstein në një kopje të librit të tij “Trump: Arti i Rikthimit” thuhej: “Për Jeff – je më i miri.”
Pamjet përfshinin gjithashtu Princin Andrew përkrah Epstein-it, i cili u gjet i vdekur në burg në vitin 2019 ndërsa priste gjyqin për trafikim seksual.
Grupi që mori përgjegjësinë për këtë aksion, me emrin “Everyone Hates Elon”, kishte mbledhur mbi 30,000 paund përmes një fushate financimi me titullin: “Shkatërro vizitën e Trump në Mbretërine e Bashkuar me këtë foto të Epstein”.
Policia e Thames Valley konfirmoi arrestimin e katër personave për “komunikim dashakeq” dhe po zhvillon hetime në bashkëpunim me autoritetet përkatëse. “Çdo aktivitet i paautorizuar rreth Kështjellës Windsor merret shumë seriozisht”, tha Shefja e Policisë, Felicity Parker.
Ndërsa Presidenti Trump pritet me nderime në Windsor, vizita e tij ndodh në mes të një krize politike që ka goditur qeverinë e Keir Starmer. Ish-ambasadori i sapoemëruar i MB-së në SHBA, Lord Mandelson, u shkarkua pas publikimit të email-eve që sugjeronin lidhje të dyshimta me Epstein.
Trump, i cili qëndron në Kështjellën Windsor për shkak të rinovimeve në Pallatin Buckingham, u shpreh i emocionuar për këtë vizitë të dytë shtetërore në Britani, duke thënë se “e ngroh zemrën” dhe duke përshkruar Mbretin Charles si “një mik dhe një zotëri elegant”.
Përveç projektimeve në Windsor, pritet që protesta masive të zhvillohen sot në Londër, veçanërisht në Sheshin e Parlamentit nga ora 14:00. Aktivistë mbanin pankarta si “Ik, po ndot Windsor-in” dhe “Fashistët nuk janë të mirëpritur”.
Top Channel